Në dosjen e Prokurorisë së Posaçme thuhet se Ilir Meta dhe Kryemadhi përdorën të gjithë pushtetin e tyre që dy kompani amerikane, pronar i të cilave rezulton Adrian Shatku, kushëriri i Monikës, të përfitonte dy projekte në tregun e fibrave optike dhe një marrëveshje të interkonjekionit të transferimit të thirrjeve telefonike.
Kryemadhi në publik e ka marrë në mbrojtje kushëririn e saj, ndërsa Ilir Meta është shprehur shumë i ashpër, duke e akuzuar se ai është “agjenti i shërbimeve jugosllave” dhe ka arritur të komprometojë 2 nga njerëzit e rrethit të tij të ngushtë. Gjithashtu në dëshminë para togave të zeza më 19 nëntor, Meta u shpreh se me Adrian Shatkun, i kishte ftohur marrëdhëniet për shkak se vendosi në dyshim seriozitetin e tij. Madje, deklaroi Meta, paralajmëroi edhe të afërmit, por edhe bashkëpunëtorët e tij, që kishin kontakte të afërta me të.
Provat
Por provat dhe dëshmitë në dosjen e SPAK nxjerrin blof Metën. Më 28 Tetor 2014, për pjesëmarrjen në vizitën zyrtare të delegacionit parlamentar shqiptar në Mbretërinë e Marokut, nga data 29 Tetor deri më 1 Nëntor 2014, me Ilir Metën ka qenë i pranishëm edhe Ralf Gjoni. Në Marok po ashtu ka udhëtuar edhe kushëriri i Monika Kryemadhit, siç konfirmohet nga mesazhet në celularin e deputetes. “Në datën 30 Tetor 2014, Adrian Shatku i shkruan Monikës se në Marok do të jetë në darkë. Nga këqyrja që iu bë sistemit TIMS rezultoi se në datën 29 Tetor 2014, ora 17.44, Ilir Metaj ka dalë nga Shqipëria nëpërmjet PKK Rinas, duke udhëtuar me linjën Alitalia AZ510/507.
Kthimi në Shqipëri është bërë në datën 02 Nëntor 2014. Në datën 31 Tetor 2014, Monika Kryemadhi i shkruan Adrianit se ajo e kishte takuar Dietlofin, ia kishte shpjeguar dhe ai do ti thërriste ata urgjent. Në vijim e pyet Adrianin se si po kalojnë në Marok, dhe Adriani i dërgon katër foto në të cilat shfaqet Ilir Metaj në shoqërinë e disa personave të tjerë. Monika gjithashtu i shkruan se Vodafoni do të blejë Albtelecomin dhe uron që të bëhet duke shkruajtur “Do zoti bëhet si për ty edhe për ne”, por lidhur me këtë sms i shkruan se e ka nisur gabim. Lidhur me vizitën në Marok të Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Z. Ilir Metaj, me shkresën nr. 911/1 Prot, datë 12 Mars 2024, janë administruar dokumentet përkatëse të kësaj vizite, nga ku rezultoi se në datën 30 Qershor 2014, Ilir Metaj ka marrë ftesë për vizitë nga Presidenti i Dhomës së Përfaqësuesve të Mbretërisë së Marokut.
Në datën 28 Tetor 2014, është miratuar Urdhëri nr. 189 i Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit për pjesëmarrjen në vizitën zyrtare të delegacionit parlamentar shqiptar në Mbretërinë e Marokut, nga data 29 Tetor deri në 1 Nëntor 2014. Adrian Shatku nuk është pjesë e delegacionit. Bazuar në draft programin e vizitës, në datën 31 Tetor 2014, Z. Ilir Metaj dhe delegacioni kanë zhvilluar takime me Ministrin e Industrisë, Tregtisë dhe Investimeve si dhe me Ministrin e Energjisë Minierave, Ujërave dhe Mjedisit”, thuhet në dosjen e SPAK
Dëshmia e Ralf Gjonit
Ka qenë vetë ish-bashkëpunëtori i Ilir Metës në LSI, Ralf Gjoni, i cili ka konfirmuar në dëshminë para prokurorëve specialë se gjatë qëndrimit në hotelin “La Mamunia”, Adriani kishte gostitur anëtarët e delegacionit Ilir Metën, Gjovalin Kadelin, Gerald Gjogjinin (punonjes i RTSH-së) dhe atë vetë me pije. Po ashtu ai flet edhe për një takim të Metës me Shatkun në Uashington.
