Bumi (i propaganduar) i turizmit nuk sjell bum në punësim apo në paga

Data

Numri i të punësuarve në ekonominë shqiptare u rrit me vetëm 1.6% në tremujorin e tretë të këtij viti ndërsa pagat në sektorin privat u rritën me 5.4% ndërkohë që ministri i Financave sugjeron se sektori privat “do të jetë i detyruar” të ndjekë rritjen e pagave në sektorin publik.

Ekonomia shqiptare shtoi afro 12 mijë vende të reja pune gjatë periudhës 12-mujore nga tremujori i tretë i vitit 2023 deri në tremujorin e tretë të vitit 2024, bëhet e ditur nga të dhënat zyrtare të publikuara nga Instituti i Statistikave. Numri i të punësuarve arriti në këtë mënyrë në 749 mijë vetë, me një rritje prej 1.6% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Bumi i turizmit, i propaganduar me bollëk nga qeveria, dukshëm nuk ka dhënë efekt të madh në numrin e të punësuarve me pagë dhe me sigurime shoqërore. Të dhënat mbi numrin e të punësuarve të publikuara nga INSTAT pasqyrojnë deklaratat e bizneseve, agjencive qeveritare buxhetore apo korporatave publike si dhe individëve të vetëpunësuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.

Në lidhje me pagat, paga mesatare bruto në ekonominë shqiptare arriti në 78 mijë lekë. Kjo shifër përfshin pagën që qytetari merr në dorë, plus sigurimet shoqërore që paguan dhe plus tatimin mbi të ardhurat personale. Përgjatë vitit të fundit, pagat u rritën me 8.6% por kjo rritje u shkaktua nga pagat e sektorit publik, të cilat u rritën me 15% ndërsa pagat e sektorit privat u rritën me 5.4%.

Pagat e sektorit publik u rritën këtë vit dukshëm për arsye elektorale dhe u rritën në masë shumë më të lartë se sa rritja e të ardhurave buxhetore apo e ekonomisë kombëtare. Projektbuxheti afatmesëm 2025-2027 tregon se qeveria ka planifikuar rritje pagash për këtë vit por zero rritje pagash për vitet 2026 e 2027, gjë që dukshëm tregon për karakterin elektoral dhe joreal të kësaj rritjeje.

Paga bruto në sektorin publik arriti në 97 mijë lekë. Në këtë shifër përfshihen sigurimet shoqërore të punëmarrësve dhe tatimi mbi të ardhurat personale.
Në sektorin privat, paga mesatare bruto ishte 70 mijë lekë dhe rritja vjetore ishte 5.4%.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related