Ekspertët e Komisionit të Venecias kanë dhënë opinionin e tyre për përplasjen mes shumicës dhe opozitës lidhur me çështjen e mandatit të Olta Xhaçkës.
Në dokumentin 15 faqesh thuhet se deputetët nuk mund të detyrohen të votojnë në një mënyrë të caktuar. Nga ana tjetër, Venecia thekson se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për t’u zbatuar.
Për të diskutuar më shumë lidhur me çështjen e mandatit të Olta Xhaçkës, por edhe për “lëvizjet” e opozitës për zgjedhjet e 2025, në edicionin qendror të lajmeve të orës 19:00 në Vizion Plus me Aleksandër Furxhi ishte i ftuar Edvin Kulluri.
Z.Kulluri tha se çështja e mandatit të Olta Xhaçkës nuk duhej të kishte shkuar fare në Komisionin e Venecias.
Sa i përket lëvizjeve të opozitës, ai shprehet se PD-ja nuk ia ka dalë të fitojë betejën me shumicën votuese.
Intervista e plotë:
Kulluri: Gjykata Kushtetuese është organi përfundimtar që merr vendime mbi çështjet e interpretimit kushtetues. Është një çështje që, sipas mendimit tim, nuk duhej të kishte shkuar fare në Komisionin e Venecias. Gjykata Kushtetuese është autoritet, ndërsa Komisioni i Venecias është një organ këshillues për institucionet shqiptare.
Partia Demokratike, e udhëhequr nga Berisha, shprehet se ka arritur fitore në miratimin e disa rezolutave nga organizata të djathta ndërkombëtare. Sa të rëndësishme janë këto rezoluta sipas jush?
Kulluri: Së pari, çdo parti opozitare duhet të fitojë betejën e saj me vota. Fatkeqësisht, opozita nuk ka arritur të fitojë betejën me shumicën votuese. Së dyti, në raport me çështjen që përmend zoti Berisha lidhur me “non gratën” dhe qëndrimin e administratës amerikane, është e qartë se qëndrimi i SHBA-së ka qenë i njëjtë gjatë viteve 2016-2020, mbështetje për reformën në drejtësi dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Nuk ka asnjë gjasë për ndryshim të këtij qëndrimi nga SHBA.
