Analisti Ilir Demalia ka hedhur dritë mbi një pjesë të errët të historisë së Shqipërisë, duke zbuluar pseudonimet e politikanëve dhe gazetarëve që, sipas tij, ishin bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit dhe udhëhoqën lëvizjen studentore të 8 Dhjetorit 1990. Në një analizë kritike, Demalia e përshkruan këtë datë si një moment që shënon vazhdimësinë e ndikimit të Partisë së Punës së Shqipërisë dhe strukturave të saj në politikën shqiptare postkomuniste. Në shkrimin e tij, Demalia përmend një seri pseudonimesh, duke ironizuar rolin e tyre në “krijimin e opozitës antikomuniste” me në krye ish-kryeministrin Sali Berisha. Ai shprehet se këta individë kishin një mision të qartë, të cilin e përshkruan si një transformim të “demokracisë ramiziste” në një sistem të dobët dhe të manipuluar pas viteve ’90.
Demalia kritikon mënyrën se si 8 Dhjetori përkujtohet në ditët e sotme, duke e quajtur atë një “festë të daulleve dhe dajreve të çara,” në vend që të jetë një moment reflektimi dhe përmirësimi për Shqipërinë. Ai thekson se gjendja aktuale e vendit është një dëshmi e qartë e sfidave dhe dështimeve që kanë ardhur si pasojë e kësaj periudhe historike. Në mënyrë ironike, ai mbyll analizën e tij duke shprehur “mirënjohje” për Ramiz Alinë, duke e cilësuar këtë një reflektim të misionit të fshehtë të 8 Dhjetorit 1990, i cili tashmë, sipas tij, është bërë i qartë. “8 dhjetori është ditë gëzimi, ditë reflektimi dhe kuptimi, për të kuptuar dhe jo për t’i rënë daulleve dhe dajreve të çara të demokracisë si mjerim shoqëror në gjendjen ku gjendet Shqipëria.
Gëzuar 8 Dhjetorin si vazhdimësi e Partisë së Punës së Shqipërisë dhe Syrit Vigjilent të Trungut Kallëzimeve, me në krye studentët Bualli, Korani, Bozhurja, me gazetarët e Zërit të Popullit dhe Zërit të Rinisë: Llulla, Çiftelia, gazetës Drita, Shishja e qumështit, pastaj Çanta, Qukapiku, Profesori, Korçari, Rrjepsi, Murrizi, Stilolapsi, Drita e Kuqe, Shkrimtari, Indipendenti, Stilolapsi, Doku, Alfons Ballsha e plot të tjerë, me në krye shokun Sali Berisha, që “krijuan opozitën antikomuniste” si demokraci ramiziste në një demokraci postkomuniste. Sot tashmë është më se e qartë se cili ishte misioni i 8 Dhjetorit 1990. Me zë dhe figurë: Mirënjohja jonë më e madhe shkon për shokun Ramiz Alia…”, përfundon reagimin Ilir Demalia.
Çfarë thotë historia për 8 dhjetorin e 1990?
Më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të Universiteteve të Tiranës, u bënë iniciatorë e protagonistë të kthesës së madhe historike, protestave paqësore që sollën rënien e sistemit komunist dhe lindjen e demokracisë. Të organizuar ata marshuan nga ‘Qyteti Studenti’ drejt qendrës së Tiranës. Ata u bënë iniciatorë e kthesës së madhe historike të vendit, duke u ngritur në protesta që sollën rënien e sistemit komunist dhe ardhjen e demokracisë. Me shprehjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, të rinjtë kërkuan ngritjen e sistemit të vlerave perëndimore dhe të shtetit të së drejtës; integrimin në Europë dhe garantimin e pluralizmit politik si bazë kryesore për një shoqëri të lirë e demokratike. Lëvizja Studentore e vitit 1990 është e vetmja Lëvizje paqësore që ndryshoi historinë e Shqipërisë.
Atë natë të 8 Dhjetorit, radhët e tyre ishin shtuar minutë pas minute dhe turma kishte mbërritur deri në 1000 vetë. Protestat do të vazhdonin edhe për dy ditët në vijim deri në datën 11 dhjetor në mbrëmje kur në takim me Ramzi Alinë u konfirmua edhe pluralizmi politik, të cilin e shpallën menjëherë pas kthimit nga ai takim, duke nisur edhe organizimet për themelimin e Partisë Demokratike. Lëvizja Studentore do të vijonte me organizime e protesta edhe në ditët e para të vitit 1991 deri në ditët e grevës së urisë, kulmuar mesditën e 20 shkurtit 1991, kur Studentët të mbështetur nga pedagogët dhe shumë qytetarë të Tiranës, zbarkuan në sheshin Skënderbej, duke rrëzuar përfundimisht diktaturën komuniste dhe duke sjellë për shqiptarët lirinë e munguar gjatë pothuaj gjysmë shekulli.
