Bota është në prag të një epoke të tretë bërthamore, kështu ka paralajmëruar kreu i forcave të armatosura të Mbretërisë së Bashkuar.
“Bota ka ndryshuar,” tha Admirali Sir Tony Radakin në një leksion të mërkurën në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara në Mbretërinë e Bashkuar.
“Fuqia globale po zhvendoset dhe një epokë e tretë bërthamore është përpara nesh.”
“Kjo epokë e tretë bërthamore, e cila është “në agim”, vjen nga dilema të shumta me teknologjitë bërthamore të përhapura dhe shkatërruese, dhe mungesa pothuajse totale e arkitekturave të sigurisë”, tha kreu i forcave të armatosura britanike, shkruan CNN.
Lufta e Rusisë në Ukrainë dhe konfliktet e shumta në Lindjen e Mesme kanë përmbysur stabilitetin global, tha ai ndër të tjera. Vendosja e trupave të Koresë së Veriut në kufirin e Rusisë me Ukrainën ishte “zhvillimi më i jashtëzakonshëm” i vitit, tha ai.
Sipas tij zhvillimet e fundit sç janë përdorimi i dronëve të furnizuar nga Irani dhe kërcënimet e Rusisë për të armatosur rebelët Houthi të Jemenit në hakmarrje ndaj mbështetjes së Ukrainës nga Perëndimi janë mjaft kritike për zhvillimet e luftës, e cila po merr tashmë përmasa globale.
Në nëntor, Rusia përditësoi doktrinën e saj bërthamore , dy ditë pasi Presidenti i SHBA Joe Biden i dha Ukrainës lejen për të goditur objektivat brenda Rusisë me armë të prodhuara nga Amerika.
Pavarësisht kësaj, Radakin beson se ekziston vetëm një “shans i largët” që Rusia të sulmojë ose pushtojë NATO-n, pasi ajo e di se “përgjigja do të ishte dërrmuese, qoftë konvencionale apo bërthamore”.
