Këshilltarët e Presidentit të zgjedhur Donald Trump publikisht dhe privatisht po bëjnë të ditur propozime të ndryshme për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Sipas një analize nga agjencia e lajmeve Reuters të deklaratave në fjalë, si dhe intervistave me disa individë të afërt me zotin Trump, pjesë të mëdha të territorit të Ukrainës do t’i jepeshin Rusisë për një kohë të pacaktuar.
Propozimet nga tre këshilltarët kyç, përfshinë Gjeneralin në pension Keith Kellogg, i cili pritet të jetë ndihmës i Presidentit Trump dhe i dërguar i posaçëm për Ukrainën dhe Rusinë, përmbajnë disa elemenë të përbashkët, përfshirë heqjen nga axhenda të anëtarësimit të Ukrainës në NATO.
Presidenti i zgjedhur Trump është zotuar vazhdimisht gjatë fushatës zgjedhore se do t’i jepte fund konfliktit afro trevjeçar, në 24 orët e para pas marrjes së detyrës më 20 janar, për të mos thënë më herët, por ende nuk ka thënë se si do ta bëjë këtë.
Analistë dhe ish zyrtarë të këshillit të sigurisë kombëtare kanë ngritur pikëpyetje nëse zoti Trump mund ta përmbushë një zotim të tillë për shkak të kompleksitetit të konfliktit.
Të marra së bashku, megjithatë, deklaratat e këshilltarëve të tij sugjerojnë ravijëzimet e mundshme të një plani paqeje të Presidentit Trump.
