Kryetari i Partisë Republikane të Shqipërisë, Fatmir Mediu thotë se drejtësia në vend duhet të ushtrohet në respekt të Kushtetutës, Kodit të Procedurës dhe Kodit Penal, duke përsëritur qëndrimin e opozitës se SPAK-u po përdoret si armë politike kundër opozitës. Vetëm SPAK i ka hedhur poshtë këto kritika. Zoti Mediu i bëri komentet në një intervistë për Zërin e Amerikës, gjatë një vizite në Uashington për të marrë pjesë në një forum ndërkombëtar të partive konservatore. Deputeti i opozitës në parlamentin e Shqipërisë tha se ndërsa afrohen zgjedhjet e ardhshme parlamentare, opozita duhet të mobilizohet për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe për të ofruar alternativa për votuesit. Duke folur për situatën e sigurisë në Ballkan, zoti Mediu theksoi se Shqipëria, si anëtare e NATO-s duhet të aktivizohet më intensivisht përballë rrezikut të Serbisë, Rusisë dhe Kinës dhe në mbështetje të Kosovës.
Zëri i Amerikës: Zoti Mediu, siç e dëgjuam në lajmin pararendës, një deputet i opozitës dhe një kryebashkiak socialist janë vënë nën akuzë nga Prokuroria e Posaçme. Ju vetë jeni në proces gjyqësor për Gërdecin. Zoti Berisha është në pritje të procesit, ndërsa ish presidenti Ilir Meta është i arrestuar. Ajo që bie në sy në Shqipëri janë sulmet ndaj SPAK-ut, ndaj Prokurorisë së Posaçme, por nga ana tjetër duket sikur pozicionet politike në pikat më të larta drejtuese partiake po përdoren si mburojë për t’u mbrojtur ndaj proceseve të tilla…
Fatmir Mediu: Unë mendoj që në thelb ne duhet të analizojmë funksionimin kushtetues. Drejtësia duhet të jetë patjetër në respekt të Kushtetutës, Kodit të Procedurës dhe Kodit Penal. Besoj se është në të drejtën e gjithësecilit, kur shkelen këto elementë, ta ngrejë zërin fuqishëm për shkeljen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Unë nuk mendoj që drejtësia mund të përdoret si një armë politike për të realizuar qëllime politike apo të kthehet në një institucion politik. Kjo do të jetë shumë e rrezikshme për vendin. Madje ka diskutime që jemi në kohën e Republikës së SPAK-ut. Ne jemi republikë parlamentare, e nuk jemi as republikë SPAK-u e as republikë gjyqësore, sepse parimi check and balance është mënyra se si funksionon një republikë parlamentare.
Ky proces, sidomos tani afër zgjedhjeve, që në shumë raste shkon ndesh me ligjin dhe me Kushtetutën, me përfaqësues e drejtues politikë të opozitës është në dëm të vendit; së pari ndaj një procesi zgjedhor që po afron dhe të pamundësive për të patur një garë dhe një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, i cili është provuar që jo vetëm manipulohet nga qeveria në bashkëpunim me krimin e organizuar me paratë e korrupsionit etj., por tashmë i shtohet edhe një element i drejtësisë. Meqenëse ju thatë se unë jam në një proces për Gërdecin, unë po ju them se unë nuk jam në një proces për Gërdecin, për faktin që vetë gjykata ka thënë që Fatmir Mediu nuk ka asnjë lidhje me shpërthimin në Gërdec, por jam për shpërdorim detyre me disa akuza që janë më shumë se sa qesharake.
Zëri i Amerikës: … të lidhura me Gërdecin…
Fatmir Mediu: … për shembull, kanë thënë se unë kam ndërhyrë në kalibrat e municioneve, kur vetë prokurori nuk e di se ç’janë kalibrat i madh apo i vogël, ndaj nuk kam si t’i di as unë se unë nuk jam ushtarak, kur gjithë ekspertiza ushtarake nga shefi i shtabit e kështu me radhë kanë sjellë ato gjykime, të cilat nuk kisha asnjë burim për të kontestuar më tepër se sa ajo ekspertizë që kisha. Unë nuk hyj tek merita e askujt e as tek e imja. Unë do të doja një drejtësi, e cila të funksionjë si një drejtësi e pavarur. Nuk është ajo drejtësi e pavarur, për të cilën unë kam votuar, të them të drejtën, kur u miratua reforma në drejtësi.
Zëri i Amerikës: Po duke patur parasysh që në fund të fundit institucionet janë të përcaktuara në rastin tuaj konkret, por edhe në rastet e udhëheqësve të tjerë të partive të tjera, a nuk do të ishte më mirë që për sa kohë zhvillohen këto procese, të largoheshit nga drejtimi i partisë pikërish për t’u përballur me këto çështje?
