Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka nisur një hetim për pasuritë e dyshimta të disa politikanëve shqiptarë. Prokuroria e Posaçme njoftoi dje zyrtarisht se ka dërguar për gjykim dosjen në ngarkim të deputetit demokrat Asllan Dogjani, lidhur me deklaratën e pasurisë për një apartament me vlerë 120.000 euro, ndërsa flamuri i hetimeve është ngritur për disa emra të tjerë si Flamur Noka dhe Luan Baçi.
Detajet nga dosja e Dogjanit
Më 24 Mars 2010, në deklaratën e interesave private para fillimit të detyrës pranë ILDKPKI, Asllan Dogjani ka deklaruar se kishte përfituar një apartament banimi me sipërfaqe 128.4 m2, i cili ndodhet në rrugën “Hamid Shijaku” në Tiranë, nga shoqëria e ndërtimit “Protial”, në këmbim të konsulencave juridike që i kishte ofruar dhe do t’i ofronte në të ardhmen. Në mbështetje të këtij deklarimi, ai paraqiti kontratën me nr.7030 rep. dhe 781 kol. të datës 6 dhjetor 2006, tek e cila, i pandehuri u mbështet sërish edhe në deklarimin e datës 16 Qershor 2023, pas zgjedhjes së tij si deputet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.
SPAK thotë se në ndryshim nga deklarimet e bëra, hetimet e këtij procedimi penal treguan se i pandehuri Asllan Dogjani është bërë pronari i apartamentit të lartëpërmendur, bazuar në kontratën me nr.7030 rep dhe 781 kol, dt.6 Shtator 2006, në të cilën parashikohej se vlera e apartamentit do të ishte 121.980 euro, shumë të cilën i pandehuri ia ka likuiduar shoqërisë përmes pagesave cash. Nga provat shkresore dhe ato të paraqitura nga dëshmitarë, rezulton se kontrata e datës 6 dhjetor 2006 mban të njëjtin numër rep. dhe kol. si ajo e datës 6 shtator 2006, por me ndryshimin e mënyrës së përfitimit të këtij apartamenti.
Kjo tregon se kontrata është hartuar në mënyrë fiktive me qëllim deklarimin e rremë të burimit të krijimit të pasurisë së paluajtshme. Pra, SPAK ka arritur të provojë se Asllan Dogjani nuk e ka përfituar apartamentin në këmbim të konsulencave juridike që i kishte ofruar dhe do t’i ofronte në të ardhmen kompanisë së ndërtimit “Protial”, por në këmbim të pagesave cash. Asllan Dogjani akuzohet për kryerjen e veprës penale deklarim i rremë i pasurisë, e parashikuar nga neni 257/a paragrafi i dytë i Kodit Penal.
Hetimet për pasurinë e Luan Baçit dhe Flamur Nokës
Nuk është vetëm Asllan Dogjani që mund ta pësojë nga pasuria e dyshimtë. Në skanerin e SPAK është edhe Luan Baçi. Dyshohet se ai ka fshehur një pasuri prej gati 800 mije euro nëpërmjet makinacioneve me një investim me njeriun e tij te afërt. SPAK po heton se në periudhën 2010-2011 deputeti Luan Baçi, nëpërmjet gruas së tij, bën një investim në vlerën e 783 mijë eurove cash në një kompleks turistik ne Vlore. Deputeti Baçi thuhet se nuk e ka deklaruar këtë investim. Nga leximi i bërë nga një kopje e këtij kallëzimi del se Luan Baçi, nëpërmjet pagesave cash në lekë dhe në euro, ne periudhën shkurt 2010- korrik 2011, ka paguar kuotën e tij te investimit si dhe ka blere disa njësi nga ortaku Aredin Behari në kompleksin Diamond Hill & SPA ne Vlore, për një total prej 782.935 Euro.
