Zv/kryeministres, njëkohësisht ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku po i bëhen “mal” kallëzimet në Prokuroria e Posaçme (SPAK). Partia Demokratike çoi një tjetër dosje dje për Ballukun të cilën e akuzon se ka miratuar kosto 3 herë më të larta për impiantin fotovoltaik në digën e Zadejës. Dje në një deklaratë për median nga kryesia e Kuvendit kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi u shpreh se Balluku firmosi për një kosto 8 milionë për impiantin fotovoltaik në digën e Zadejës ndërkohë që nga privati kushtonte 3 mln euro. “Vetëm me firmën e Belinda Ballukut mund të ndodhë që një projekt, i cili, kur ndërtohet nga shteti, nga KESH-i, kushton 8 milionë euro dhe kur ndërtohet nga private kushton 3 milionë euro.
Kjo ka ndodhur me projektin e ndërtimit të impiantit fotovoltaik në digën e Zadejës, kostoja e të cilit është fryrë në mënyrë fiktive, duke i shkaktuar një dëm buxhetit të shtetit prej të paktën 5 milionë euro. Rritje fiktive e kostos duhet të ketë ndodhur me shumë e shumë projekte të tjera në varësi të Belinda Ballukut apo ministrave të tjerë të qeverisë së Edi Ramës, por sot po sjell faktet për abuzimin me fondet publike në projektin energjitik të KESH-it. Nën varësi të Belinda Ballukut, KESH lidhi një kontratë për ndërtimin e impantit fotovoltaik të digës së Zadejës për 8.13 milionë euro ose sa 97% e fondit limit. Është bërë krejt e zakonshme për qeverinë e Edi Ramës që fituesit e tenderave janë të paracaktuar dhe nuk kursehet pothuajse asgjë.
KESH-i e lidhi këtë kontratë 2-3 herë më të shtrenjtë sesa vlera reale e punimeve të saj, në gusht të vitit të kaluar, pasi projekti kishte marrë miratimin paraprak të Belinda Ballukut. Sipas ligjit, Ministrja e Energjitikës ka detyrimin e njohjes së çdo projekti të tillë shtetëror ose privat, për të cilin jep miratimin ose e refuzon atë. Në këtë rast, Belinda Balluku e ka miratuar projektin shtetëror për impiantin fotovoltaik në digën e Zadejës, duke vënë firmën në një projekt që doli në tender me vlerë 8.3 milionë euro, kur ndërkohë, një projekt tjetër, thuajse binjak me këtë shtetërorin, u kushtoi investitorëve privatë jo 8 milionë euro, por vetëm 3 milionë euro”, tha Bardhi.
