India pret që marrëdhëniet strategjike me Shtetet e Bashkuara të thellohen edhe më tej gjatë mandatit të dytë të Presidentit të zgjedhur Donald Trump. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Anjana Pasricha nga Nju Delhi, India po përgatitet të përballet me një trysni të mundshme kur flitet për marrëdhëniet tregtare me Shtetet e Bashkuara, partnerja më e madhe tregtare e këtij vendi.
India është optimiste se lidhjet me Shtetet e Bashkuara do të thellohen gjatë administratës së Presidentit Trump.
Presidenti i ardhshëm mbajti një qëndrim të ashpër ndaj Kinës gjatë fushatës ndërsa India është një kundërpeshë e rëndësishme ndaj Pekinit në Indo-Paqësor.
“Në fakt, gjatë mandatit të tij të parë çështja e Kinës mori përparësi dhe debati u zhvillua në një nivel krejt ndryshe. India shpreson që ai (Trump) do ta përforcojë këtë qëndrim çka do t’i mundësojë Indisë dhe Shteteve të Bashkuara që të gjejnë mënyra të reja bashkëpunimi”, thotë analisti Harsh Pant.
