Ka përfunduar pa shumë bujë historia e dashurisë mes Romeos dhe Heidit. Çifti është ndarë në gusht, çfarë solli edhe largimin e ish-finalistes së “Big Brother” nga Shqipëria, disa muaj pasi tashmë jetonte e vetme në Tiranë. Sot, jeta e Heidit e ka lënë pas famën dhe lidhjen e dështuar, për t’u rikthyer sërish në Itali, aty ku edhe e pret familja e saj. Por teksa Heidi ka lënë pas gjithçka ka ndodhur në vitin e fundit me të, Romeo duket se ia ka nisur nga aty ku edhe la.
Ishte fillimi i tetorit, kur edhe Panorama shkroi për një flirt të ri që aktori kishte nisur. E tashmë, kur kanë kaluar më shumë sesa një muaj, miqtë pranë tij zbulojnë se lidhja që fillimisht përflitej si thashetheme, tashmë është konfirmuar. Të shumtë janë njerëzit që e kanë parë tashmë Romeon në shoqëri të vajzës brune që gjithnjë e më shpesh po shfaqet krah tij.
Fillimisht, miqtë e afërt të tij ishin skeptik rreth fatit që kjo histori do të kishte. Por kur kanë kaluar disa javë, partnerja e re e Romeos, e shoqëron kudo artistin. Ndonëse deri më tani, çifti i ri nuk ka dalë ende hapur, të shumtë janë ata që e kanë marrë vesh për këtë histori. Ditët e fundit, çifti ka qenë edhe në zonën e ishBllokut, ku vëllai i Romeos, ka edhe një biznes. Nën shoqërinë e miqve të përbashkët, çifti ka qëndruar në një nga baret e njohura në qytet, por pa dhënë shumë skena, si për të mos u zbuluar.
Vajza në fjalë, nuk është e famshme, por ka shumë miq në fushën e showbizzit, ndaj edhe në një nga këto evente, ajo është njohur me Romeon, pak ditë pasi historia ishte mbyllur. Rrethi i ngushtë i Romeos, bën me dije se nuk e dinë kohën fiks kur ai dhe Heidi u ndanë, por dinë se në fillim të shtatorit, kur Romeo iu rikthye netëve live si këngëtar, partnerja e tij e shoqëronte.
