Ministrja britanike e Transportit, Louise Haigh dha dorëheqjen të premten për shkak të një dënimi të dhjetë viteve më parë për mashtrim, pasi pati pretenduar se i kishin vjedhur celularin
Në një letër drejtuar Kryeministrit Keir Starmer, zonja Haigh tha se: “Mbetem plotësisht e përkushtuar ndaj projektit tonë politik, por tani besoj se do t’i shërbehet më mirë me mbështetjen time nga jashtë qeverisë”.
“Unë e vlerësoj se sido që të jenë faktet e çështjes, kjo çështje në mënyrë të pashmangshme do të jetë një shpërqendrim nga kryerja e punës së kësaj qeverie dhe politikave të cilave i jemi përkushtuar bashkërisht”, ka shkruar ajo.
Dorëheqja erdhi disa orë pasi kanali televiziv Sky News dhe gazeta The Times e Londrës raportuan se zonja Haigh ishte akuzuar për mashtrim pasi raportoi se i ishte vjedhur një celular pune, kur u grabit në vitin 2013. Ajo më vonë tha se e kishte renditur celularin gabimisht ndër sendet e vjedhura.
Pasi gjeti telefonin dhe e ndezi sërish, ajo u thërrit për t’u marrë në pyetje nga policia. Zonja Haigh pranoi fajësinë për mashtrim nëpërmjet keqinterpretimit dhe iu dha lirimi me kusht.
