Qeveria miraton bonusin e fundvitit për pensionistët dhe aktin normativ për kthimin e parave për profesionistët e…

Data

Qeveria miratoi dje dy vendime të rëndësishme, në mbledhjen e radhës të kabinetit në Kryeministri. Konkretisht qeveria miratoi aktin normativ për kthimin e parave për profesionistët e lirë si dhe bonusin e fundvitit për pensionistët, i cili do të jetë për 2 fasha, 150 euro për ata që marrin nën 20 mijë lekë në muaj dhe 100 euro bonus kush merr mbi 20 mijë lekë në muaj. Lajmin e bënë të ditur dy ministrat, ai i Financave, Petrit Malaj dhe i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, duke folur për mediat pas mbledhjes së qeverisë

Ministri i Ekonomisë, Blendi Gonxhja theksoi se nga bonusi do të përfitojnë mbi 724 mijë pensionistë. “Për të gjithë 724,933 pensionistët, nga të cilët 511,173 pensionistë me pension deri 20,000 lekë do të marrin këtë fundvit bonusin 15,000 Lekë, dhe 213,760 pensionistë me pensione mbi 20,000 lekë përfitojnë bonusin 10,000 Lekë! Theksoj se të gjithë ata 65,763 pensionistë invalidë, 44,561 pensione familjare – gra e burra të ve, fëmijë jetim pavarësisht se sa pension marrin do të kenë bonusin maksimal 15,000 Lekë! Përfshihen në këtë bonus fundviti edhe 2,900 pensionet e parakohshme të ushtarakëve”, deklaroi ai. Po ashtu, Gonxhja theksoi se nga këto bonuse rritet automatikisht edhe vlera e pensionit.

“Praktikisht, efekti i fondit prej 100 milionë euro të bonusit të fundvitit që miratuam sot, rrit me 9% mesatarisht një pension prej 15,000 Lekësh për të gjithë vitin 2024; rrit mesatarisht 13% një pension social; rrit mesatarisht 35% pensionin familjar”, u shpreh ai. Po ashtu, ministri Gonxhja zbuloi se shpërndarja e shpërblimit për pensionistët pritet të nisë në mes të muajit dhjetor. “Pagesat për pensionistët nisin javën e dytë të dhjetorit”, nënvizoi Gonxhja. Kujtojmë se të gjithë pensionistët do të marrin edhe një bonus tjetër në pranverën e 2025-ës, në varësi të rritjes ekonomike, për këtë arsye vlera e këtij shpërblimi ende nuk është përcaktuar.

Ministri Malaj jep detajet

Ndërkohë brenda 31 dhjetorit të këtij viti të gjithë profesionistët e lirë që parapaguan këstet e tatimit përpara se Gjykata Kushtetuese të shfuqizonte taksimin e tyre, do të marrin mbrapsht paratë. Akti Normativ për kthimin e parave u miratua nga Këshilli i Ministrave, ndërsa detajet i ndau ministri i Fiancave, Petrit Malaj. “Qeveria përmes këtij akti normativ mori vendimin për kthimin e fondeve tek profesionistët e lirë, dhe nga ana tjetër edhe ndonjë detyrim eventual i cili është regjistruar gjatë kohës që ligji ishte në fuqi, u shuajt. Nga ky akt normativ përfitojnë 6450 profesionistë të lirë, që do rimbursohen me fond prej 501 milionë lekë. Parashikojmë që procesi të përfundojë brenda datës 31 dhjetor 2024, do të ngarkojmë Tatimet për mbarëvajtjen e gjithë procesit”, tha Ministri i Financave Petrit Malaj. Sakaq ministri Malaj u pyet nga gazetarët nëse do të ketë një skemë tjetër tatimi për këtë kategori pasi kushtetuesja rrëzoi ligjin e 2023-shit.

“Qeveria do të bëjë një vlerësim të të gjitha përjashtimeve dhe normave të reduktuara që janë në fuqi dhe do të vendosim nëse përjashtimet do të vijojnë apo do të rishikohen”, nënvizoi Malaj. Kujtojmë se në fund të muajit qershor 2024 Gjykata Kushtetuese rrëzoi disa nene të ligjit të tatimit mbi të ardhurat ku parashikohej tatimi i kësaj kategorie profesionistësh, pas kërkesës së bërë nga Kontabilistët, dhoma e Avokatisë dhe Partia demokratike. Gjykata vlerësoi se tatimi ishte joproporcional dhe cenonte sigurinë juridike. Tatimi i profesionistëve të lirë u miratua në mars të vitit 2023 dhe parashikonte 15% tatim kush ka të ardhura deri 14 milionë lekë, dhe 23% kush merrte më shumë.

Nga ana tjetër, gazeta “SOT” ka siguruar edhe vendimin e plotë tw qeverisë për bonusin që pensionistët do të përfitojnë në fund të vitit. Në vendimin e miratuar dje nga qeveria, thuhet se personat që marrin një pension deri në 20 000 lekë do të përfitojnë 15 000 lekë bonus, ndërsa ata që marrin mbi 20 000 lekë pension do të përfitojnë 10 000 lekë bonus. Shpërblimet kalohen në llogaritë e pensionistëve në muajin dhjetor të këtij dhe paguhen gjatë këtij muaji. Në rastet kur pagesat efektive nuk kryhen brenda muajit dhjetor, ato paguhen deri në datën 30 qershor të vitit të ardhshëm.

 

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related