Pesë vjet pas tërmetit katastrofik të 26 nëntorit 2019, Shqipëria vazhdon të mbajë shenja të thella nga ajo tragjedi që mori shumë jetë dhe la qindra mijëra qytetarë pa strehë. Megjithatë, procesi i rindërtimit është shndërruar në një thirrje pa zgjidhje, ku premtimet e qeverisë kanë mbetur të pa mbajtura dhe shumë qytetarë ende presin për shtëpitë e tyre. Vendet ku dikur ishin shtëpitë janë ende të shkatërruara, ndërsa ndihma për shumë familje është mbajtur në terrenin e politikës dhe premtimeve të pambaruara.
Akuzat ndaj qeverisë janë të forta, teksa shqiptarët e kanë perceptuar rindërtimin si një mundësi për manipulim politik dhe një treg të shfrytëzimit të fatkeqësisë. Për shumë qytetarë, ajo që është parë si një mundësi për rigjallërimin e vendit, është kthyer në një simbol të dështimit dhe pabesisë. Në një kohë kur ndihma dhe mbështetje duhet të jenë më të forta, realiteti i hidhur mbetet i pandryshuar për ata që ende jetojnë me pasojat e asaj dite tragjike.
Detajet
Por çfarë ka ndodhur dhe si paraqitet situata në realitet? Kështu pesë vite nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit 2019, ku humbën jetën 51 qytetarë dhe u plagosën mbi 1000 të tjerë, pasojat që ai ka lënë pas, ende ndjehen në shumë familje. Procesi i rindërtimit nuk konsiderohet i mbyllur, pasi punimet vijojnë në disa zona të vendit dhe me dy lagje më të mëdha në kryeqytet. Procesi i rindërtimit është planifikuar të vazhdojë deri në vitin 2026, me fonde që do të alokohen nga buxheti i shtetit, i cili ka shpenzuar 920 milionë euro deri tani, duke siguruar banesa për vetëm 7,000 familje. Ndërkohë shumë familje vijojnë të trajtohen me bonusin e qirasë. Po ashtu, gjatë këtyre viteve, shumë familje që humbën shtëpitë e tyre dhe njerëz të dashur, kanë protestuar në qytete si Vora, Durrësi, Kurbini dhe Tirana, por ende nuk ka një përgjigje të qartë se kur ata do të mund të kthehen në shtëpitë e premtuara nga shteti.
Banorët e Kombinatit janë ata që e vuajnë më tepër këtë pjesë pasi banesat e tyre ua prishi shteti, i cili tani nuk u dorëzon çelësat e apartamenteve të reja. Një qytetar i kësaj zone ka treguar për JOQ ALBANIA se leja ndërtimore për pallatet e njësisë nr.6 ka qenë 18 muaj, por kanë kaluar 3 vite dhe askush s’është futur brenda tyre pasi ata janë të papërfunduar dhe në gjendje skandaloze. Ai ka dyshime se dhënia e çelësave për apartamentet e reja po lihet qëllimisht për periudhën e zgjedhjeve parlamentare që do mbahen në 2025, por pse jo edhe për ato vendore në 2027. Qytetari akuzon shtetin se po shfrytëzon fatkeqësinë e tyre për qëllimet vetjake, pasi edhe bonus qiraja që jepet është sa gjysma minimale për qiranë e një apartamenti në Tiranë. Nga ana tjetër, zv/kryeministrja Belinda Balluku ka ndarë disa shifra lidhur me rezultatet e rindërtimit.
Konkretisht deri më tani janë dorëzuar 5524 banesa individuale, 6139 apartamente të reja, ndërsa janë rikonstruktuar 167 shkolla në zonat e prekura. Thumana është një lagje e re e rindërtuar, së bashku me lagjet në Vorë dhe dy në Tiranë, rruga “5 Maji” dhe “Kombinat”. Rindërtimi është procesi më i kushtueshëm i cili është përballuar nga buxheti i shtetit edhe pse në konferencën e donatorëve në shkurt të 2020 u arrit të sigurohej një fond për 1.1 miliard eurosh, nga rreth 1 miliard dëm të përllogaritur. Por pandemia më pas bëri që buxheti të mbajë barrën kryesore të këtij procesi, ndërsa me fondet të BE janë rikonstruktuar objektet arsimore. Një sërë bashkish u prekën nga dëmet e tërmetit shkatërrimtarë, siç janë Tirana, Durrësi, Vora, Shijaku, Kurbin, Rrogozhina.
