Partitë politike në Kosovë po përgatiten për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, por para-fushata e tyre ka shkaktuar shqetësime për ndërhyrjen e mundshme në procesin zgjedhor dhe për keqpërdorimin e burimeve publike.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se gati asnjë parti nuk bën përjashtim nga shkeljet e tilla të dyshuara, e njësoj as vetë Qeveria.
Instituti i tij është pjesë e rrjetit të organizatave Demokracia në Veprim, që bën vëzhgimin e proceseve zgjedhore.
Cakolli, si ndërhyrje të Qeverisë në procesin zgjedhor, merr shembull përpjekjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) për miratimin e një memorandumi bashkëpunimi me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, përmes të cilit synonte të siguronte “bashkëpunim mes palëve në organizimin dhe administrimin e të gjitha formave të votimit” për shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit.
