Në mars të këtij viti prokuroria e Bolonjës u komunikoi zyrtarisht akuzën e trukimit të tenderave 7 personave. Në mes të akuzuarve janë presidenti i kompanisë Servizi Italia, që zotëron 30 për qind të koncesionit të Sterilizimit në Shqipëri dhe kunati i tij Marco Storchi, drejtor i spitalit Sant Orsola në Bolonja. Arsyeja e akuzës? Storchi i dha tender 123 milionë euro kunatit të tij.
Në dhjetor të vitit 2017, ndërmarrja spitalore e Sant Orsolas shpalli një tender gjigand prej 123 milionë eurosh për menaxhimin e shërbimeve të integruara të mbështetjes. Në vitin 2019, fitues i tenderit u shpallën kompanitë Coopservice dhe Servizi Italia. Por kompania e renditur e treta, bolonjezja Rekeep e ankimoi shpalljen e fituesit. Storchi dhe Olivi kishin fshehur faktin se ishin kunetër.
Çështja u shndërrua në një skandal të madh duke e detyruar Këshillin e Shtetit në Itali të përmbyste fituesin, duke ja hequr kontratën Coopservize dhe duke shpallur fituese pikërisht ankimuesin Rekeep. Megjithatë, menjëherë pas kësaj Prokuroria italiane nisi hetimet.
Për dy vite me radhë në bashkëpunim me Guardia di Finanzan, prokurorët kanë zhvilluar hetime intensive, të cilat u përmbyllën 6 muaj me parë me marrjen zyrtarisht të pandehur të Storchit dhe Olivit, të cilët tani presin gjykimin.
