Babai i Martin Canit, Ëngjëll Cani ka dhënë një intervistë televizive ku ai ka rrëfyer momentet e para kur mori vesh se djali i tij ndodhej në spital me disa plagë në trup dhe më pas mësoi se është ndarë nga jeta.
Ai deklaroi se është i tronditur nga ngjarja dhe se ende nuk e beson që diçka e tillë mund t’i ndodhte të birit në derën e shkollës.
“Mësuesja më tha Martini është te ‘Trauma’. Vajta aty, më thanë është në sallë të operacionit. Më thirrën pas gjysmë ore me shpresë se do të kishte vetëm një plagë thike, kurse moshatari i vet gjashtë thika. Por, pas gjysëm ore më thanë Martini nuk mbijetoi sepse kishte një thikë në zemër. Bota më ra përmbi kokë!
Pak më pare kisha mësuesen e Martinit dhe po më tregonte se ishte model, shembullor, një njeri që e donte e gjithë shkolla, e gjithë lagjia këtu. Pyet çdo njeri që e njeh Martinin, ishte lider i vërtetë, humorist i vërtetë, nuk kam fjalë ta përshkruaj”, tha Cani.
I pyetur për autorin e krimit, Cani tha se nuk e njeh atë dhe se familjarët e tij nuk e kanë ngushëlluar dhe as kanë kërkuar falje.
“Unë as nuk e njoh, as i kam mësuar emrin as nuk e di kush është, ku është dhe cili është, nuk kam asnjë lloj ideje. Të jem i sinqertë nuk kanë ardhur, asnjë lloj ngushëllimi, asnjëlloj falje, asnjë informacion nuk kam. Ndoshta nuk kanë kurajo, mund të ndihen fajtorë. Nuk besoj se ka njeri që do që djali i tyre të bëhet kriminel
Çdo prind nuk e do djalin ta ketë kriminel. Ata kanë qenë moshatarë, fajësoj dorën që e vrau. Kë të fajësos? Ajo dorë i mori jetën djalit tim, ëndrrat. Nuk dua ta kthej politike, unë i përkas thjeshtësisë dhe paqes, erdha të ndërtoj shtëpi dhe familje, erdha me mall për atdheun, të jetoj këtu. Më lindën dy cuna, dy yje, njërin ma mori Zoti, më mori zemrën”, tha Cani.
Babai i 14 vjeçarit të ndjerë u ndal edhe te siguria në shkolla dhe protesta e zhvilluar ditën e sotme për të birin. Ai deklaroi se nëse kjo tragjedi do të kishte ndodhur në një vend tjetër, jo vetëm që do të dorëhiqej ministri, por do të rrëzohej Qeveria.
