- Lufta kundër korrupsionit në Shqipëri duket se është një nga premtimet më të rëndësishme të çdo qeverie, por edhe një nga fushat ku ka më shumë retorikë sesa veprime konkrete. Kjo strategji është veçanërisht e vërtetë kur flasim për strukturat anti-korrupsion të krijuara nga qeveria, të cilat shpesh janë kritikuar për inefikasitetin dhe mungesën e vullnetit të vërtetë për të luftuar këtë fenomen që ka korruptuar shtetin shqiptar për dekada.
Konkretisht strukturat anti-korrupsion të qeverisë kanë “mbyllur sytë” përpara korrupsionit, ndërkohë që nuk kanë bërë asnjë denoncim në SPAK për pushtetarët e përfshirë në afera. Një shembull i qartë i këtij mungese vullneti është Drejtoria e Përgjithshme Anti-Korrupsion (DPAK), e cila u krijua për të koordinuar politikat dhe aksionet antikorrupsion. Sidoqoftë, kjo strukturë duket se është një tjetër përpjekje formale, më shumë për të krijuar përshtypjen e veprimit se sa për të ofruar një zgjidhje të vërtetë për problemin. Kjo pasi pas kaq shumë viteve të keqqeverisjes, është e vështirë të besohet që një strukturë e re mund të ndryshojë rrënjësisht situatën. DPAK-u ka një mision të shkruar bukur në letër: parandalimin dhe goditjen e korrupsionit në administratën shtetërore dhe entet publike
Por në praktikë, kjo duket si një përpjekje për të krijuar një fasadë të re për një luftë që është përshkruar vazhdimisht si prioritet, ndërkohë që asnjë denoncim i vërtetë nuk ka arritur të shkojë deri në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) për të hetuar pushtetarët në poste të larta. Në fakt, deri tani, SPAK-u ka marrë të gjitha vëmendjen, duke arrestuar politikanë dhe zyrtarë të lartë nga të dy krahët e politikës shqiptare, një fenomen që nuk është parë kurrë më parë. Pjesa më e madhe e emrave që po hetohen apo janë arrestuar janë të lidhur me Partinë Socialiste të detyruar nga kryeministrit Edi Rama dhe ky është një realitet që po e ballafaqon çdo ditë politikën shqiptare me pasojat e korrupsionit të thellë.
Skema
Mirëpo kjo situatë ka nxjerrë në pah dobësinë e strukturave antikorrupsion të qeverisë, të cilat kanë dështuar të ndërmarrin hapa të dukshëm dhe të shpejtë kundër të korruptuarve brenda radhëve të partive të pushtetit. Përpjekjet për të krijuar një strukturë si DPAK janë të dukshme, por ato shihen si një tentativë për të larguar vëmendjen nga dështimet e kaluara dhe për të justifikuar premtimet e kryeministrit Rama në prag të zgjedhjeve. Pra edhe pse kjo drejtori mund të ketë një plan të mirë në letër, është mëse e qartë që ky plan është vetëm një reagim ndaj një presioni të jashtëm dhe kritikave që kanë ardhur nga shoqëria civile dhe organizmat ndërkombëtarë për dështimet e mëparshme në luftën kundër korrupsionit. Kështu që përpara kësaj situate, krijimi i Drejtorisë së Përgjithshme Anti-Korrupsion nuk mund të quhet një zgjidhje e plotë për korrupsionin që ka mbërthyer Shqipërinë.
Pa një vullnet të vërtetë dhe pa një angazhim të thellë të strukturave të shtetit për të hequr dorë nga lidhjet e korrupsionit, këto iniciativa do të mbeten të paefektshme. Korrupsioni nuk luftohet me retorikë, as me krijimin e strukturave që ngjajnë më shumë me fasada të bukura sesa me mekanizma funksionalë. Për të pasur një ndryshim të vërtetë, kërkohet një angazhim serioz nga të gjithë aktorët politikë, që përfshin eliminimin e korrupsionit në çdo nivel të administratës dhe për të krijuar mundësi reale për një shoqëri të barabartë dhe të drejtë. Megjithatë mbetet të shihet në ditët në vijim nëse ky mesazh do të bjerë në vesh të qeverisë, e cila ka edhe “shkopin magjik” për të zgjuar nga gjumi letargjik strukturat anti-korrupsion që paguhen nga paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe që kanë misonin pikërisht që të mbajnë korrupsionin dhe të korruptuarit sa më larg fondeve dhe pasurive publike.
