Ministri i Financave Petrit Malaj deklaroi sot se borxhi publik është sot rreth 14 % më i ulët se sa ishte në vitin 2013, kur kjo mazhorancë erdhi në drejtim të vendit.
Malaj iu përgjigj akuzave të ngritura nga deputeti i Partisë Demokratike, Bujar Leskaj për rritje të borxhit publik.
Në fjalën e tij, Leskaj tha se borxhi publik ishte në 2013-ën, 883 miliardë lekë, ndërsa sot ka shkuar në 1.4 triliardë lekë, ose 1.6 herë më i lartë
“Ulja në raport me PBB-në në 50 % vjen si rezultat i mbiçmimit të lekut dhe nga rritja nominale e PBB-së. Borxhi publik që qeveria ka futur qytetarët është sa dyfishi i borxhit publik. Po kështu borxhi publik për frymë është 1.6-1.8 herë më i lartë“, tha Leskaj.
Në replikë me Leskajn, Malaj u shpreh se borxhi publik llogaritet në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto dhe se në vitin 2013 borxhi publik ishte mbi 70 % e PBB-së, ndërsa në 2015 ai do të zbresë në 55.8% .
“Sot borxhi publik është 14 % më i ulët. Borxhi publik për frymë ka qenë 2300 euro në 2013-ën, por të ardhurat vetëm 3300 euro pra diferenca ishte 1 mijë euro. Sot borxhi publik për frymë është 5 200 euro, por të ardhurat për frymë janë 10 300 euro që do të thotë diferenca është 5 mijë euro”, deklaroi Malaj.
Njëkohësisht, Malaj shpjegoi se qeveri po harton një skemë të re pensionesh, përmes së cilës do të ketë rritje të pensioneve në vend.
