Kryeministri Edi Rama deklaroi dje se fondet për mbrojtjen sociale në projektbuxhetin e vitit 2025, llogariten 248 miliardë lekë, nga 122 miliardë lekë që ishin një dekadë më parë, ndërsa paga mesatare shkoi në 900 euro në sektorin publik, nga 371 euro që ishte një dekadë më parë. Në fjalën e tij në seancën e djeshme plenare, teksa po diskutohej në parim projektbuxheti për vitin 2025, Rama tha se shifrat hedhin poshtë edhe akuzat e opozitës për mosmbështetje të shtresave në nevojë. “E dëgjoj shpesh që ne qenkemi të majtë, por se nuk i mbrojmë shtresat në nevojë. Çfarë thotë buxheti në sfondin e kësaj dekade? Nga 122 miliardë lekë për mbrojtjen sociale kur ne nisëm rrugën tonë, këtë vit kishim 238 miliardë dhe në vitin 2025 kemi 248 miliardë lekë. Edhe në mbrojtjen e përgjithshme sociale jemi mbi dyfishin, me afro 2.5 miliardë euro. Po të shtosh edhe bonusin e ri të pranverës, shuma do të jetë më e lartë“, tha Rama.
Kryeministri po ashtu theksoi se në projektbuxhetin e vitit 2025 fondi në dispozicion të mbështetjes së politikës për bonusin e bebeve është 22 milionë euro. “Kemi financuar mbi 145 milionë euro për bebet e porsalindura. Janë 22 milionë euro të tjera në buxhetin e ri”, tha ai. Fondi i pagave, vuri në dukje Rama është sot 1.3 miliardë euro nga afro 500 milionë euro që ishte një dekadë më parë. “E kemi nisur rrugën tonë me një fond pagash në sektorin publik afro 500 milionë euro. Në buxhetin 2025, fondi i pagave është më shumë se sa dyfishi, 1.3 miliardë euro. Nga një pagë minimale, dje 156 euro, kemi sot një pagë 400 euro. Nga një pagë mesatare 321 euro, kemi sot një pagë 751 euro. Nga një pagë mesatare në sektorin publik 371 euro, kemi sot një pagë mesatare 900 euro. Të gjitha të rritura afro 2 fish e gjysmë”, u shpreh kreu i qeverisë.
