Politologu Alban Daci duke komentuar përmes një interviste televizive bonusin e qeverisë për pensionistët e konsideroi një dhuratë me qëllime elektorale, që ka ndodhur vazhdimisht nga ekzekutivi në Shqipëri.
Daci theksoi nevojën e një reforme të thellë strukturore te pensionit, duke shtuar se pensionistët shqiptarë janë më të varfrit në Ballkan.
“Më duket si pjesë e asaj që është përdorur rëndomtë, vazhdimisht edhe nga të tjerë para Ramës, oferta apo dhurata me qëllime të caktuara elektorale. Çështje e pensionistëve s’është çështje bonusi, që duhet të perceptohet si dhuratë nga qeveria. Është çështje mjaft delikate që lidhet edhe me ligjin e pensioneve. E djathta do ta ndryshojë këtë ligj, por s’ka patur forcën për ta ndryshuar. Pensionistët sot kanë nevojë për reformë të thellë strukturore. Me këto lloj pensionesh që kanë sot, po të mos ishte kontributi i fëmijëve, shumica s’kanë para të blejnë ilaçe, jo më të bëjë jetë normale.
Ka një problem serioz në lidhje me ofertat politike që ka sot Shqipëria. Dy ofertat janë ato që kanë qeverisur më shumë Shqipërinë në 34 vite, dhe mënyra si e kanë qeverisur Shqipërinë, është edhe arsyeja e pensioneve që kemi sot. Duhet reformë strukturore në pensione. Forcat e reja politike, por mbi të gjitha shoqëria shqiptare, duhet të jetë shumë sensibile sepse po flasim për jetën e prindërve tanë. Është një menefregizëm i të gjitha qeverive që pensionistët s’i ka trajtuar me dinjitet. Reforma e thellë në pensione duhet të bëhet konsensuale, jo vetëm nga forcat politike që janë në Parlament. Pensionistët shqiptarë mund të jenë më të varfrit në Ballkan, jo më në Europë. Sa më i varfër të jetë populli aq më i ulët është koeficienti i demokracisë dhe i kërkesës së llogaridhënies. Dikur jepnin gjelin e detit, sot japin bonus”.
