Urbanisti Maks Kola ka mbajtur fjalën e tij në tubimin qytetar që zhvillohet te ajo që është pagëzuar prej 320 ditësh si “Rruga e Shpresës”, në mbështetje të liderit të opozitës, Sali Berisha, pas vendimit të GJKKO-së për ta lënë në “arrest shtëpie”, lidhur me hetimet që po zhvillohen për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”, në Tiranë.
“Si arkitekt, urbanist, dhe për më tepër si anëtar i Drejtorisë së Planifikimit të Territorit në PD mund të flisja pa fund lidhur me abuzimet e pafundme financiare dhe me cilësinë e ulët të ndërtimeve në vendin tonë; mungesën e kontrollit të territorit në të gjithë vendin, për paaftësinë e kësaj qeverie për të bërë një plan strategjik afatgjatë; për infrastrukturën kombëtare.
Por duke qenë se jemi në prag të një fushate të tensionuar zgjedhore, ku lideri i opozitës qëndron prej 11 muajsh në kushtet e izolimit fizik të padrejtë, jam i prirur të flas politikisht.
Sepse sot më shumë se kurrë është bërë i domosdoshëm rrotacioni politik dhe qeverisja e vendit tonë nga PD dhe e djathta shqiptare.
Dhe në këto kushte i del për detyrë të fitojë pjesën dërrmuese të zemrave të shqiptarëve brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Era e fitores së të djathtës vjen me fitoren e Donald Trump në zgjedhjet në SHBA”, u shpreh ndër të tjera urbanisti Maks Kola.
