Ka përfunduar në kohë rekord rehabilitimi i hapësirës mes pallateve në kryqëzimin e rrugëve “Kujtim Laro” dhe “Kongresi i Manastirit” në Njësinë 3. Pas inspektimit të bllokut, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha se tani banorët kanë një lagje më të jetueshme.
“Kjo është një nga ato punët e vogla, por që bëhet me dashuri të madhe. Tirana është si ajo loja me puzzle, tek e cila çdo gjë duhet të jetë në vendin e vet, përndryshe nëse një copë mungon, stonon; në fakt, stononte e gjithë kjo zonë mes “Kujtim Laros” dhe “Kongresit të Manastirit” dhe prova që e bëmë në kohë rekord, duke shtuar edhe hapësirat pedonale për banorët e zonës, më bën të ndihem mirënjohës për skuadrën. Është shumë e rëndësishme të kemi hapësira të mëdha publike, si te sheshi ‘Skënderbej’, Pazari i Ri, te Liqeni, Kalaja, por ne e dimë se, 90% të kohës, njerëzit rrinë në lagje, jo në sheshe. Për sa kohë që projekti i ‘100 lagjeve’ po krijon çdo muaj nga një lagje të re, jemi shumë pranë momentit kur mund të themi se Tirana është urbanizuar e gjitha, sidomos lagjet me ndërtimet e vjetra të kohës së komunizmit”, tha ai.
