Një ditë pas përfundimit të komisionit hetimor për Koncesionet në Shëndetësi, nënkryetari i këtij komisioni dhe deputeti i PS-së Plarent Ndreca, është paraqitur këtë të premte në SPAK për të dhënë deklarime në lidhje me çështjen në të cilën është marrë i pandehur.
Ai akuzohet për veprën penale të “shkeljes së barazisë në tendera”.
Deputetja e PD-së Albana Vokshi, tha në A2 CNN , se Ndreca është përdorur dhe tashmë e lëshuar të përballet me shkeljet që ka bërë.
“Vajtja në SPAK e Plarent Ndrecës vetëm një ditë pasi komisionit hetimor i përfundoi afati dëshmon qëllimin e Edi Ramës për ta dështuar këtë komision. E përdorën Plarent Ndrecën, e shpërdoruan në fakt praninë e tij si nënkryetar i komisionit hetimor. Nuk ia arritën dot qëllimit që kishin. Ju zbulua skenari edhe me Ilir Beqajn dhe sot një ditë pas mbylljes së komisionit i thanë: Shko tani se ke ca halle të tjera”, tha Vokshi.
Më tej, Vokshi theksoi se Ndreca ka bërë shumë shkelje dhe tashmë duhet të japë llogari.
