Kryetari i Nismës Thurje Endri Shabani, i ftuar në një intervistë televizive, e konsideroi komisionin hetimor për sterilizimin një spektakël, ku të dyja palët PS dhe PD nuk kanë për synim mbylljen e shtigjet e vjedhjeve përmes PPP-ve. Sipas tij mesazhi i Beqajt është që “ne do shkojmë në burg, por vjedhja vazhdon”
Ndër të tjera, ai theksoi se Nisma Thurje nuk do bashkëpunojë me klasën e vjetër, por mbetet i hapur për një front me “Shqipëria Bëhet” dhe partinë e Elena Kocaqit, apo aktivist të rinj
“Arsyeja pse Beqaj u paraqit me pranga në duar, arsyeja pse biznesmeni u paraqit me pranga në duar, është sepse në 2019 Nisma Thurje ka çuar në SPAK aferën e sterilizimit, ku u krijua një skemë private, ku paratë kanë shkuar për të pasuruar disa njerëz, xhepat e qeveritarëve dhe ortakët e tyre. Komisioni s’ka si objektiv të zëvendësojë punën e SPAK-ut. SPAK-u po e bën punën e vet. Komisioni duhet të mbyllë shtigjet. Në atë komision s’po diskutohet thelbi, thelbi është si do sigurojmë që s’do ndodhë e njëjta gjë sërish, si të mbyllim shtigjet. I shoh të dyja palët të painteresuara për të mbyllur shtigjet. Njëra palë kërkon power point, pala tjetër s’ia jep. Që të mbyllen shtigjet është që të anulojmë të gjitha koncesionet në sektorë si shëndetësia. Në Britania që është një vend jashtëzakonisht kapitalist, shërbimi është publik. Beqaj është në burg, komisioni parlamentar s’ka për ta futur në burg, apo ta nxjerrë nga burgu, por do ta përdorë për spektakël. Do nxjerrë ca foto aty, me gërshërë të këputura, kosha plehrash të papastruar dhe do të thotë, që shiko ne do shkojmë në burg, por vjedhja vazhdon. Pjesa më shqetësuese është që këta s’po mbyllin shtigjet”.
Ne po synojmë një front me parti si Shqipëria Bëhet, grupimi i Elena Kocaqit, kemi bërë përpjekje me aktivistë të tjerë, ky është fronti dhe përballë kemi klasën e vjetër politike. Nisma Thurje s’do negociojë me klasën e vjetër politike. Duhet të largojmë 3-4 njerëz që janë nyja goridane e sistemit. Atë nyje do ta presim dhe nuk e presim dot duke negociuar me ta. Ndarja do jetë me thikë, mes klasës së vjetër dhe të rinjve që duan ta transformojnë Shqipërinë”.
Sipas Shabanit klasa e vjetër politike po përpiqet që përmes teknikaliteteve të ndalë votën e diasporës. Ai tha se PS-PD mund ta vështirësojë apo kufizojë votën e diasporës, por nuk do të mundin që ta ndalojnë atë
