Prokuroria e Posaçme (SPAK) në akuzat ndaj çiftit Meta-Kryemadhi bën me dije se në të paktën gjashtë raste ata kanë kryer korrupsion pasiv; fshehje të ardhurash dhe pastrim parash. Një ndër rastet, më i bujshmi ishte ai i ndryshimit të një ligji në vitin 2014 me propozim të Monika Kryemadhit që ishte deputete dhe lehtësim të procedurave nga Ilir Meta në rolin e Kryetarit të Kuvendit. SPAK thotë se ligji u ndryshua me kërkesë të Samir Manes. Pra nëse Meta dhe Kryemadhi janë korruptuar, do të thotë se ka një korruptues. Nëse Meta është arrestuar për “korruptim pasiv”, Samir Mane ka dhënë ryshfet dhe rrezikon të akuzohet për “korrupsion aktiv”. Korrupsioni aktiv në këtë kontekst përfshin veprime të tilla si ofrimi, dhënia ose premtimi i përfitimeve të padrejta nga një person privat për një zyrtar publik, në mënyrë që ky i fundit të kryejë apo mos kryejë një veprim në favor të personit privat.
Kjo formë korrupsioni trajtohet në Nenin 244 të Kodit Penal Shqiptar, i cili parashikon ndëshkime për veprime korruptive ndaj funksionarëve publikë nga personat privatë. Sipas këtij neni: Ofrimi, dhënia, ose premtimi i përfitimeve të padrejta ndaj një zyrtari publik për të ndikuar në ushtrimin e detyrës së tij dënohet me burgim nga 6 muaj deri në 3 vjet. Në rastet më të rënda, ku ndikimi i veprimeve korruptive është më i madh ose shkakton dëm të rëndë për interesin publik, dënimet mund të jenë më të ashpra. Mbetet për t’u parë në vijim nëse Samir Mane do të jetë i hetuar për “korrupsion aktiv” për sa kohë SPAK thekson se ka konfirmuar mitdhënien nga Samir Mane. Më poshtë do të rendisim gjetjet e SPAK. Pozitat e tij mund të tronditen, pasi SPAK po thërret emrat që kanë dalë në celularin e Monikës, siç është rasti i Edmond Haxhinastos.
Marrëdhëniet korruptive
Sipas SPAK, Meta dhe Kryemadhi do merrnin një vilë nga biznesmen pasi ndryshuan ligjin sipas kërkesave të tij. “Si rezultat i marrëdhënies së krijuar, Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi kanë pranuar propozimin e biznesmenit Samir Mane për të përfituar një vilë të ndërtuar në Kompleksin Rezidencial Rolling Hills”, shkruhet në masën e sigurisë të SPAK. “Pasi ky fakt është marrë vesh edhe nga persona të tjerë, përfshirë Ambasadorin Grek në Tiranë, ata kanë hequr dorë nga përfitimi, duke mos e finalizuar marrëdhënien”, thekson organi i akuzës, ndërsa shton se “pavarësisht kësaj, ata e kanë pranuar premtimin.” Sipas SPAK, kjo nuk ishte ndërhyrja e vetme e çiftit Meta-Kryemadhi në favor të interesave të Samir Manes.
Nga komunikimet midis Monika Kryemadhit dhe Samir Manes, të pasqyruara në vendim, rezulton se ajo në shumë raste ajo ka ushtruar ndikimin e saj si deputete dhe si bashkëshorte e Ilir Metës për të zgjidhur probleme të ndryshme që biznesmeni ka pasur me administratën shtetërore dhe institucionet mbikëqyrëse të tregut – në mënyrë të veçantë me Agjencinë e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) dhe Përmbarimin Gjyqësor Shtetëror. Përveç vilës në Rolling Hills, Mane ka blerë një banesë në Qerret për 300 mijë euro në ‘cash’ nga Meta dhe Kryemadhi, një shumë që sipas SPAK nuk është deklaruar nga ish-presidenti në deklaratat periodike të interesave private në Inspektoratin e Kontrollit të Pasurisë (ILDKPKI). Ndërkohë, bashkëshortja e Manes dyshohet se ka financuar udhëtime dhe dreka në Paris dhe Londër, si dhe bileta koncerti për vajzat e Metës, Bora dhe Era.
Vila në Qerret me para Cash
Sipas SPAK, marrëdhënia e Manes me çiftin Meta dhe Kryemadhi shkon të paktën dy dekada pas. Në vitin 2007, Mane bleu një banesë nga ish-presidenti Meta në Qerret. Meta e kishte blerë banesën në vitin 2002 për 60 mijë USD dhe ia shiti Manes në vitin 2007 për 300 mijë euro në cash. Shuma e fituar nga shitja e banesës nuk u deklarua nga ish-presidenti në ILDKPKI në vitet 2007-2009. E njëjta banesë u rishit në vitin 2021 nga Mane gazetarit Baton Haxhiu për 80 mijë euro. Në nëntor 2023, SPAK kreu kontrollin e banesës së nënës së Monika Kryemadhit dhe sekuestroi disa telefona celularë si prova materiale. Nga ekspertiza kompjuterike e një telefoni të përdorur nga Monika Kryemadhi në periudhën 2013-2014, SPAK evidentoi biseda të kryera mes Kryemadhit dhe personave të ndryshëm, përfshirë Samir Mane dhe Eva Mane, që ngritën dyshime për marrëdhënie korrupsioni mes tyre.
