Rilindja financiare për I.D.K KONSTRUKSION të familjes Dalipaj apo Dalipi, tashmë lypte edhe një menaxhim apo ndarje të drejtë të këtyre përfitimeve. Këtu na del në skenë edhe vetë drejtori i OSHEE-së Blendian Dalipi, i cili pas thithjes së 30 milionë eurove fonde publike nga kompania e të atit, vendos të përvetësojë 11 milionë euro, e kjo duke përdorur një tjetër kompani. Sipas emisionit investigativ “Plug”, ministrja Belinda Balluku nuk e ka fshehur afërsinë me Blendian Dalipin as në daljet publike, ku në 31 dhjetor të vitit 2019, sëbashku me të dhe Ardian Çelën prezantonin planin e masave për furnizimin me energji ditët e festave.
Në datë 1 nëntor të vitit 2022, Balluku do t’i besonte postin e Ardian Çelës pikërisht Blendian Dalipit, i cili shoqëronte ministren në daljet e saj, në vend të eprorit të tij në Operatorin e Sistemit të Transmetimit, ku mbante postin e Drejtorit të Rrjetit, po ashtu në varësi të Belinda Ballukut. Ndërsa mbante poste të rëndësishme në dikasterin e drejtuar nga balluku, Blendian Dalipi, ishte pronar edhe i 2 kompanive, të themeluar prej tij. ABNID dhe një tjetër si person fizik.
Detajet
ABNID, është pikërisht kompania që fakton se Blendian Dalipi është përfituesi kryesor i fondeve të marra nga kompania I.D.K KONSTRUKSION, ose të paktën pjesa e luanit të këtyre tenderave janë tërhequr nga Dailipi, destinacioni final i të cilave mbetet për tu zbuluan nga SPAK. ABNDI është themeluar nga Blendian Dalipi në mars të vitit 2016 me seli në Poliçan. Sipas bilancit të vitit 2016 kompania ka deklaruar 60 milion lekë të ardhura (pra faturim) e ndërkohë deklaron se ka të ardhura të paarkëtuara për vitin 2016 nga klienti I.D.K KONSTRUKSION (kompania e babait) në vlerën 97 milion lekë. Pra deklaron më shumë fatura të paarkëtuara sesa faturim. Për sa deklarohet në bilancin e vitit 2016 kjo kompani është krijuar për të përfituar nënkontraktime nga të ardhurat që kompania e të atit përfiton nga prokurimet publike, ndërkohë që vetë Blendian Dalipi mban funksion titullari në Administratën Shtetërore.
Lëvizjet
Për vitin 2017 kompania ka deklaruar të ardhura 84 milion lekë faturim dhe ndërkohë deklaron 123 milion lekë të ardhura të paarkëtuara nga klienti I.D.K KONSTRUKSION, në pronësi të babait të tij. Në maj të vitit 2019, kompania e Blendian Dalipit zgjeron aktivitetin dhe regjistron një adresë sekondare në “Rrugën e Kavajës , brenda kompleksit “Misto Mame”. Përfitimet nga nënkontrakimi që i behet kompanisë së babait, vijojnë edhe për vitin 2018 . Respektivisht, në vitin 2018 kompania kryen disa sistemime të të ardhurave, ku deklaron parapagime dhe përfitim të të ardhurave të shtyra, por në total për vitin 2018 deklaron 189 milion lekë xhiro. Po në këtë vit me vendim asambleje të ortakut të vetëm Blendian Dalipi, është vendosur të shpërndahet divident në vlerën, 30.000.000 lekë, apo 300 mijë euro, fitime këto për vitet 2016-2018.
Pra e thënë më thjesht, Blendian Dalipi fut në xhep nga kompania e tij ABNID 300 mijë euro divident, të cilat janë siguruar nga nënkontraktimi që i bën të jatit nëpërmjet kompanisë I.D.K KONSTRUKSION, pas përfitimit të tenderave publik. Pasi tërhoqi 300 mijë euro fitime, Blendian Dalipi nis edhe lëvizjet nga kompania e tij, ku në shtator të vitit 2019 ka vendosur të emërojë si administrator shtetasin Arben Xhaferi me origjinë nga Poliçani dhe në këtë mënyrë është larguar nga drejtimi i kompanisë, post të cilin, për 3 vite e mbante paralelisht me detyrat publike.
