Aleatët e Shteteve të Bashkuara në Evropë po debatojnë se çfarë do të thotë fitorja e republikanit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale amerikane për sigurinë dhe ekonominë e tyre. Mandati i parë i Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë u karakterizua nga marrëdhënie shpesh të tensionuara me partnerët e Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgewell, sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës ka shtuar shqetësimet e Evropës mbi aleancën transatlantike.
Rreth 50 udhëheqës u takuan në Budapest të enjten për një konferencë të Komunitetit Politik Evropian, themeluar pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.
Presidenti francez Emmanuel Macron thotë se Evropa duhet të mbrojë interesat e saj ndërkohë që fillojnë përgatitjet për mandatin e ardhshëm të zotit Trump në Shtetet e Bashkuara.
“Ai do të mbrojë interesat e popullit amerikan dhe kjo është një gjë legjitime dhe e mirë. Çështja është, a jemi ne të gatshëm të mbrojmë interesat e evropianëve?” deklaroi Presidenti Macron.
Aleanca e NATO-s mbetet shtylla kryesore e sigurisë së Evropës përballë sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.
“Ndërlikimi i parë për aleancën është se si të vazhdojë mbështetjen për Ukrainën nëse Shtetet e Bashkuara vendosin të tërheqin ndihmën ushtarake”, thotë Ed Arnold i institutit britanik “Royal United Services”.
A mund ta plotësojë Evropa këtë hendek?
“Po, por Evropa duhet të përpiqet shumë më tepër në këtë drejtim”, thotë analisti Ian Bond nga Qendra për Reformën Evropiane.
Gjatë fushatës, zoti Trump tha se do t’i japë fund luftës ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës që “në ditën e parë” – por pa dhënë detaje se si do ta bënte një gjë të tillë. Analistët thonë se Ukraina ka frikë se do të detyrohet të hyjë në një marrëveshje të pafavorshme paqeje.
“Njëri prej shqetësimeve është se disa në Evropë mund të shtrojnë pyetjen se përse t’i shtojmë ndihmat nëse së shpejti do të ketë një marrëveshje të negociuar?”, thotë analisti Arnold.
Ish zyrtarët amerikanë thonë se gjatë mandatit të tij të parë, zoti Trump shqyrtoi mundësinë që të tërhiqte Shtetet e Bashkuara tërësisht nga NATO-ja.
