Kryetarja e Gjykatës së Lartë të Kasacionit të Italisë, Margherita Cassano ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare dyditore, me ftesë të Kryetarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi.
Në një njoftim për medie të Gjykatës së Lartë, bëhet e ditur se, Cassano gjatë kësaj vizite shoqërohet nga Sekretari i Përgjithshëm Stefano Mogini, të cilët u pritën sot në ambientet e Gjykatës së Lartë nga anëtarët e kësaj gjykate.
Në takim u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes dy popujve, duke theksuar se ato shkojnë më larg se një miqësi e zakonshme mes dy shteteve. Nga ana e saj, Cassano u shpreh e kënaqur dhe vlerësoi realizimin e kësaj vizite në Tiranë, e cila e nisi serinë e takimeve në Shqipëri me vizitën në Gjykatën e Lartë.
Cassano u shpreh se në Shqipëri ndjehet si në shtëpinë e saj.
“Jam e bindur se bashkëpunimi mes dy gjykatave tona është shumë i rëndësishëm, pasi të dy vendet dhe sistemet gjyqësore ndajnë dhe përballen me të njëjtat sfida. Këto takime kanë në plan të parë shkëmbimet e ndërsjella të përvojave të veçanta, në mënyrë që të dyja palët të marrin eksperiencat më të mira nga njëri-tjetri. Mbi të gjitha pavarësia e pushtetit gjyqësor, garantimi i sigurisë juridike nëpërmjet unifikimit të praktikës gjyqësore, qëndrueshmëria në dhënien e drejtësisë, kanë rëndësi parësore në themel të mbrojtjes së interesave të shtetit dhe të qytetarëve, si edhe rritjes së besimit te drejtësia”, tha ajo.
