Tirana ndodhet në një kaos të vërtetë pasi problemet në menaxhimin e skuadrës kanë ndikuar edhe në rezultatet në fushën e lojës që si rrallë herë lufton në fundin e tabelës teksa pas 12 javësh kampionat ka regjistruar vetëm një fitore.
I sakrifikuari i parë për rezultatet e dobëta ishte trajneri Bledi Shkëmbi të cilin bardheblutë e zëvendësuan me Gugash Maganin.
Një ndër problematikat e shumta që po has klubi është mungësa e një stadiumi ku të luajë ndeshjet si pritëse.
Bardheblutë janë kthyer në “renegatë”, sepse nga 12 javë kampionat, Tirana ka luajtur dy herë si pritëse dhe në takimet e tjera në transfertë. Bardheblutë deri tani nuk kanë prekur vetëm Kukësin dhe Pogradecin, pasi kanë luajtur në çdo qytet të mundshëm.
Takimi i radhës me Bylisin është planifikuar të luhet të dielën në ora 17:00 në “Elbasan Arena”, gjithsesi zyrtarisht nuk ka një njoftim nga palët.
