Partia Demokratike ka denoncuar se po fabrikohet kriza energjetike në vend dhe, sipas PD, po ndodh në zyrat e ministres së Energjisë, Belinda Balluku.
“‘Kriza’ e rradhës duket se po fabrikohet në zyrat e Ministrisë së Energjetikës dhe Infrastrukturës drejtuar nga “krye”ministresha Balluku. A po shkon Shqipëria drejt një krize energjetike, të qëllimtë, teksa rezerva hidrike e Fierzës ka zbritur drejt kuotës 267 metër?”, u shpreh anëtari i Këshillit Kombëtar, Akil Kraja.
Ai u shpreh se për të mbushur mungesën nga prodhimi vendas, “Ministria dhe agjencitë nën përgjegjësinë e Ministres Balluku do të duhet t’i adresohen blerjeve në bursë”.
“Por siç është bërë tanimë zakon, Shqipëria e shet lirë dhe e blen shtrenjtë energjinë e saj. Një praktikë abuzive, që shkel çdo protokoll e proçedurë të energjisë”, theksoi Kraja.
Deklarata e plotë:
Prej vitit 2013, fjala “krizë” ka shoqëruar çdo vendimarrje abuzive të qeverisë Rama. Termeti i vitit 2019 ishte justifikimi ideal për të mbuluar abuzimet me fondet e rindërtimit. Covid-19 u gjet si justifikim për qindra tenderë sekretë. Më herët, kriza mjedisore u përdor si justifikim ligjor e financiar për të grabitur qindra milionë euro me inceneratorët fantazëm.
“Kriza” e rradhës duket se po fabrikohet në zyrat e Ministrisë së Energjetikës dhe Infrastrukturës drejtuar nga “krye”ministresha Balluku.
A po shkon Shqipëria drejt një krize energjetike, të qëllimtë, teksa rezerva hidrike e Fierzës ka zbritur drejt kuotës 267 metër?
