Vit pas viti buxheti për shëndetësinë po rritet me ritme më të ulëta se shpenzimet e përgjithshme buxhetore, edhe pse vendi po përballet me nevoja të shumta për shërbime nga plakja e popullsisë dhe rritja e barrës së sëmundjeve.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave shpenzimet buxhetore me 2025 arrijnë në 822 miliardë lekë rreth 8,2 miliardë euro, ndërsa buxheti për Ministrinë e Shëndetësisë është projektuar 80,7 miliardë lekë ose sa 9.8 për qind e shpenzimeve të përgjithshme.
Këtë vit (2024) buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë është sa 10.1 për qind e shpenzimeve të përgjithshme buxhetore. Në vitin 2021 shpenzimet për shëndetësinë zinin 10.7 % të shpenzimeve totale.
Në vitin 2025 shpenzimet totale nga buxheti do të rriten me 6.7 % ndërsa shpenzimet për shëndetësinë me 3.6 %.
Për disa funksione të tjera rritja e shpenzimeve është dy herë më shumë se rritja e shpenzimeve të përgjithshme. Psh buxheti i Ministrisë së Infrastrukturës është projektuar të jetë 15 për qind më i lartë në vitin 2025 në krahasim me vitin 2024, teksa totali i shpenzimeve buxhetore rritet me 6.7% me 2025.
