Kreu i Partisë Demokratike- Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha ka rrëfyer dje në një intervistë televizive pazaret e politikës siç i ka cilësuar ai, midis kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD-së, Sali Berisha. I pyetur nëse po bën opozitë ndaj opozitës, Basha tha se në fakt është ish-kryeministri Berisha ai që po e realizon një gjë të tillë, duke bashkëpunuar me kreun e qeverisë. “Opozita e opozitës është ajo që edhe BE e tregoi qartë që Edi Rama dhe Sali Berisha bashkuan votat për të nxjerrë 105 individë të korruptuar të qeverisë së Edi Ramës të dënuar nga GJKKO, për t’u dhënë lirinë. Bashkëpunimi tjetër është mbyllja e listave që shkon kundër aspiratave të qytetarëve që ta zgjedhin ata deputetin”, deklaroi ai
A do ketë qeveri teknike?
Duke folur mbi protestat e Partisë Demokratike të drejtuar nga ish-kryeministri Berisha, pavarësisht se gjendet në arrest shtëpie, Basha tha se këto protesta nuk janë për të arritur në formimin e një qeverie teknike. Sipas tij, të gjitha këto janë për të “mbuluar pazaret e njëpasnjëshme me Edi Ramën”. “Protestat e sotme nuk janë për qeveri teknike. Ato janë për të mbuluar pazaret e njëpasnjëshme me Edi Ramën. E kanë të kotë. Jo se kështu them unë, po kështu thonë demokratët. Kështu thonë edhe ata që kanë qëndruar pas z. Berisha me shpresën se ky me të vërtetë për 6 muaj do ta rrëzonte Edi Ramën. E kanë kuptuar që as për 1 vit, as për 2 vjet nuk është hedhur asnjë hap serioz në këtë drejtim. Por përkundrazi janë rakorduar edhe një herë interesat e Sali Berishës dhe Edi Ramës me pazare si ato që tregova”, u shpreh ai.
Arrestimi i Ilir Metës
Më tej Basha komentoi edhe arrestimin e Ilir Metës. Sipas tij, mënyra e arrestimit të ish-presidentit të vendit ishte për të bërë pis Strukturën e Posaçme Antikorrupsion. “Mënyra se si është vepruar është një përpjekje për të bërë pis SPAK-un. Qytetarët duhet ta dinë se nuk është SPAK-u që arreston dhe as BKH. Këto kryhen nga struktura e Policisë së Shtetit siç kanë qenë gjithmonë nën drejtimin e kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm. Një shfaqje e tillë e shëmtuar ia doli për fat të keq ia doli të zhvendosë vëmendjen e opinionit publik nga fakti i arrestimit të një prej figurave protagoniste prej 34 vitesh në politikë për akuza korrupsioni te mënyra e arrestimit”, tha ai.
A keni frikë nga hetimet për 21 Janarin?
Ndërkohë Basha u pyet edhe për dosjen e 21 Janarit për të cilën tha se nuk ka asnjë frikë nga hetimet që po zhvillohen nga SPAK për këtë çështje. “Nuk kam frikë nga asnjë dosje hetimore, dhe mbështes me gjithë forcë hetimin e pavarur dhe profesional të çdo dosjeje hetimore nga struktura e Posaçme Antikorrupsion. Këtë qëndrim që kam unë, e kanë të gjithë demokratët euroatlantikë sepse besojmë që ka ardhur koha që nga njëra anë pandëshkueshmëria të marrë fund dhe nga tjetër të marrë fund edhe loja e shpifur hipokrite e akuzave të ndërsjella politike por që nuk përfundojnë kurrë në një hetim, në një çështje para drejtësisë dhe në një vendim të drejtësisë”, theksoi Basha.
Hetimet e SPAK
Nga ana tjetër, kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, vlerësoi punën e SPAK për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Sipas tij, epoka e kur një grusht politikanësh i shpëtonin drejtësisë po shkon drejt fundit fal angazhimit të institucioneve të reja të drejtësië, për të cilën demokratët euroatlantikë e mbështesim pa asnjë rezervë. Basha më tej tha se për të sjell ndryshimin duhet që të gjitha faktorët e shoqërisë të funksionojnë, si politika, media e lirë, opinioni publik, roli i grupeve të interesit, roli i shtresës së mesme, për të mundësuar këtë rotacion një herë e mirë. “Së pari dua edhe një herë të vlerësoj maksmalisht punën e institucioneve të reja të drejtësisë dhe punën e SPAK për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë.
Fenomenit që po kështu karakterizon këtë tension midis shumicës popullsisë dhe një grushti politikanësh. Ku shumica e popullsisë goditen, shpesh herë edhe në mënyrë të padrejtë, provojnë shijen e ligjit apo të zbatimit të ligjit edhe për gjëra të vogla, ndërsa një grusht politikanësh edhe për krime të rënda, për aferat më të rënda korruptive kanë arritur t’i shpëtojnë për një kohë të gjatë llogaridhënies para ligjit. Kjo epokë duket se po shkon drejt fundit fal angazhimit të SPAK të cilën ne demokratët euroatlantikë e mbështesim pa asnjë rezervë. Se roli i politikës në një vend normal, në një vend të emancipuar nga sëmundjet e tranzicionit është pikërisht ky: të qëndrojë larg drejtësisë dhe të mbështesë në të gjitha format dhe mënyrat një drejtësi të pavarur dhe profesionale e cila është e verbër sa i takon statusit të të pandehurit.
Nëse janë qytetarë të thjesht apo politikanë më të pushtetshëm në vend, qeveritar apo ish qeveritar, duhet të japin llogari para ligjit. Kështu që në këtë drejtim SPAK-u po jep kontributin e vet, por asnjë faktor i vetëm nuk mund të sjell ndryshimin që duam të gjithë. Të gjithë ne duhet të kontribuojmë, e në veçanti kur vjen fjala tek ata që duhet të zgjidhen me votë, apo duhet të japin llogari para votuesve, duhet të funksionojë edhe ana e demokracisë. Të dyja bashkë, por edhe aspekte të tjera të një shoqërie të shëndosh, media e lirë, opinioni publik, roli i grupeve të interesit, roli i shtresës së mesme, të gjitha këto duhet të bashkohen për të mundësuar një ndryshim një herë e mirë, që të mbyll një herë e mirë 34 vite të tranzicionit dhe t’i japë shqiptarëve një perspektivë të re”, nënvizoi Basha.
