Shqipëria, që prej rënies së regjimit komunist, e ka renditur veten si një nga aleatet më besnike të SHBA. Në përgjithësi, politika e jashtme amerikane ka qenë mbështetëse ndaj interesave të Shqipërisë dhe shqiptarëve, pavarësisht nga forca politike që ka pasur pushtetin në SHBA.
Në fushatën e dy kandidatëve Trump dhe Harris nuk janë raportuar qëndrime direkte të lidhura me rajonin e Ballkanit Perëndimor, që sigurisht është një çështje shumë periferike për vëmendjen e elektoratit amerikan.
Megjithatë, ka analistë që e shohin me shqetësim qëndrimin e butë që Trump ka mbajtur kundrejt Rusisë, që është edhe aleati kryesor i Serbisë në rajonin tonë.
Veçanërisht pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, vlerësohet se ka një rritje të përpjekjeve të Rusisë për të destabilizuar rajonin, duke përdorur kryesisht faktorët politikë serbë, jo vetëm në Serbi, por edhe në Bosnjë-Hercegovinë, Mal të Zi dhe Kosovë.
Gjithashtu, në mandatin e parë të Donald Trump, administrata e tij duket se mbështeti dhe promovoi planin e fshehtë për ndryshimin e kufijve të Kosovës, në këmbim të njohjes së saj nga Serbia.
Një plan i tillë shkaktoi reagime negative në Kosovë dhe vlerësohet se ishte një ndër faktorët që ndikuan në rritjen e mbështetjes për lëvizjen “Vetëvendosja” dhe kryeministrin aktual të Kosovës, Albin Kurti.
Fitorja e Trump pritet të sjellë ftohje me BE-në
Politika e jashtme është një çështje shumë e rëndësishme në zgjedhjet presidenciale të SHBA. Dy kandidatët për Presidentë kanë shfaqur qëndrime të ndryshme për sa i takon konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës.
Administrata Biden ka mbështetur me vendosmëri Ukrainën pas sulmit rus të vitit 2022 dhe zëvendëspresidentja aktuale Harris duket se do të ndjekë të njëjtën linjë, nëse zgjidhet Presidente. Ajo ka shprehur angazhimin për të ndihmuar Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme.
