Tetë persona kanë humbur jetën pasi një strehë prej betoni të armuar në hyrje të një stacioni treni në qytetin serb të Novi Sadit, është shembur. Ministri i Brendshëm Ivica Daçiç tha se dy persona të tjerë u shtruan në spital me lëndime të rënda, ndërsa shpëtimtarët kontaktuan me dy individë të cilët janë ende nën rrënoja.
“Tetë trupa janë nxjerrë nga rrënojat, dy persona janë në spital, por gjendja e një personi është shumë e rëndë dhe këmbët i janë amputuar. Jemi në kontakt me dy persona nën rrënoja. Aktualisht po punojmë për nxjerrjen e tyre. Do të shohim se çfarë tjetër do të gjendet nën rrënoja”, tha Daçiç.
Ndër personat me të cilët po komunikojnë ekipet e shpëtimit, të cilët ende nuk janë nxjerrë jashtë, është një grua dhe një vajzë rreth 14 vjeç, tha ai.
Daçiç theksoi se afro 80 shpëtimtarë nga disa qytete po marrin pjesë në shpëtim. “Aksioni është jashtëzakonisht i vështirë dhe do të zgjasë edhe disa orë të tjera”, tha ai.
Ekuipazhet e urgjencës ndodhen në vend ndërsa buldozerët pastrojnë rrënojat në kërkim të të mbijetuarve.
