Po të qëmtosh tezat e atyre që vijojnë të mbrojnë me kokfortësi SPAK-un dhe reformën në drejtësi, ato përmblidhen në disa pika kryesore. Falë tyre do i jepet fund “të pandëshkueshmëve” që kanë abuzuar me ne për këto tre dekada. Në sajë të punës që po bëjnë do spastrohet përfundimisht politika nga hajnat dhe abuzuesit. Ata do prodhojnë rrotacionin e elitave politike. Asgjë nuk do ti ndalë në yryshin që kanë nisur dhe me siguri, pas dyshes Meta-Berisha, kandidatë për gijotinë janë ata të krahut tjetër, Veliaj dhe Rama.
Kryeministri dhe enturazhi i vet ndihen të fikësuar dhe prandaj janë të gatshëm për të bashkëpunuar nën rrogoz edhe me opozitën, për të stopuar vrullin e “heronjve të fëmijëve tanë”.
Nuk ka studio televizive, debat për reformën në drejtësi, ku mbrojtësit e saj nuk artikullojnë si papagaj pjesën dërrmuese të këtyre sloganeve. Po ti vëresh me vëmendje, pjesa dërrmuese e atyre që flasin kështu, janë të njëjtit që thonë se Edi Rama është kryeministri më i mirë që ka pasur vendi, që e konsiderojnë herezi idenë se ai duhet të largohet dhe propogandojnë gjithë ditën se opozita zyrtare është e pafatë dhe e pabesueshme për të ruajtur balancat demokratike në vend.
Ndërsa po ta shtrydhësh gjithë zhurmënajën llafollogjike të tyre, në një përpjekje për t’i nxjerrë esencën, mesazhi është se falë SPAK dhe drejtësisë së re Shqipëria do të spastrohet njëherë e mirë nga abuzuesit, se në të ardhmen njerëzit e thjeshtë nuk do të ndihen më si të vjedhurit dhe të shfrytëzuarit e këtij vendi, se shoqëria jonë do të bëhet më e drejtë dhe më e ndershme.
