Duket se zgjidhja përsëri do të gjendet me rritje barre për ata që kanë mbetur të punojnë, duke nxitur “përçarje” midis kontribuuesve dhe përfituesve të pensionit dhe duke paralajmëruar aksione ndëshkuese. Të tilla mënyra veprimi gjithmonë në periudhë afatmesme sjellin dështim.
Në vitin 1993, Shqipëria miratoi ligjin për sigurimet shoqërore, i cili reformoi skemën e vjetër, duke vendosur parimin e drejtësisë sociale: “Paguaj sot që të marrësh nesër”. Që atëherë janë bërë disa rishikime dhe një reformë e re në 2014-n. Tashmë, një reformë e re ka nisur të hartohet, teksa Tatimet kanë nisur një aksion kundër informalitetit në tregun e punës, duke kërkuar deklarimin e pagave reale.
Por, këto reforma kanë dështuar të japin përfitime dinjitoze për pensionistët, pasi vlera e pensionit (rreth 9 mijë lekë në muaj, ai minimal, dhe rreth 16 mijë, ai mesatar) në pjesën më të madhe sot është poshtë nivelit të varfërisë (6.7 dollarë në ditë sipas Bankës Botërore).
Rreth 25% e popullsisë sot është në moshë pensioni. Më shumë se gjysma e pensionistëve aktualë në vend marrin pensione të pjesshme, sepse nuk plotësojnë kriteret për vitet e duhura të punës, sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Dy vlerësohen arsyet kryesore që kanë çuar në këtë situatë:
Së pari, aspekti demografik, për shkak të projeksioneve të gabuara të popullsisë, për numrin e kontribuuesve dhe përfituesve, që kanë qenë gjithnjë më të larta sesa realiteti. Parashikimet e popullsisë kanë qenë në marzhe të larta gabimi, si rrjedhojë e cikleve të vazhdueshme të emigracionit dhe informalitetit të lartë në tregun e punës, që nuk ka arritur të reduktohet.
