Vëzhguesit evropianë thanë sot se zgjedhjet në Gjeorgji u zhvilluan në një mjedis “përçarës” me kërcënime të përhapura dhe raste të dhunës fizike, të cilat minuan rezultatin e zgjedhjeve. Gjeogjianët pritej të vendosnin nëse vendi do të vazhdonte rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian apo do të zhytej më tej nën ndikimin rus. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha sot se partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, fitoi 54.8% të votave ndërsa ishin numëruar 100% të tyre. Vëzhguesit vendas gjithashtu njoftuan për shkelje të shumta në proces dhe thanë se rezultatet “nuk përputhen me vullnetin e popullit gjeorgjian”.
Vëzhguesit e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë thanë të dielën se një fushë e pabarabartë e betejës elektorale sa i takon financimit minoi besimin tek rezultati dhe ngriti pikëpyetje nëse zgjedhjet ishin të drejta.
“Njoftimet për presionit ndaj votuesve, veçanërisht ndaj punonjësve të sektorit publik, ishin të përhapura në këtë fushatë. Kjo, së bashku me gjurmimin e gjerë të votuesve në ditën e zgjedhjeve, ngre shqetësime rreth mundësisë që kishin disa qytetarë, për të votuar pa frikën e ndëshkimit”, tha koordinatori special i OSBE-së, Pascal Allizard.
Zyrtarët e OSBE-së thanë gjithashtu se kishin vërejtur raste të blerjes së votave dhe votimit të dyfishtë veçanërisht në zonat rurale.
