Gazeta prej kohësh ka denoncuar lidhjet e fshehta të politikës me biznesmenë të fuqishëm. Një nga këta ka qenë dhe megaoligarku Samir Mane. Në dosjen e Ilir Metës dhe Kryemadhit dalin shërbimet që këta të fundit i kanë bërë Samir Manes me ligje të porositura prej tij dhe si shpërblim ata kanë marrë si fillim një vilë të cilën më pas e kanë kthyer. Jo për dëshirën e tyre, por sepse sipas dosjes rezulton se në dijeni të pranimit të kësaj dhurate kanë rënë persona të tjerë, përfshirë edhe një ish-ambasador.
Sipas SPAK, kjo nuk ishte ndërhyrja e vetme e çiftit Meta-Kryemadhi në favor të interesave të Samir Manes. Nga komunikimet midis Monika Kryemadhit dhe Samir Manes, të pasqyruara në dosje, rezulton se ajo në shumë raste ajo ka ushtruar ndikimin e saj si deputete dhe si bashkëshorte e Ilir Metës për të zgjidhur probleme të ndryshme që oligarku ka pasur me administratën shtetërore dhe institucionet mbikëqyrëse të tregut në mënyrë të veçantë me Agjencinë e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) dhe Përmbarimin Gjyqësor Shtetëror
Përveç vilës në Rolling Hills, Mane ka blerë një banesë në Qerret për 300 mijë euro në ‘cash’ nga Meta dhe Kryemadhi, një shumë që sipas SPAK nuk është deklaruar nga ish-presidenti në deklaratat periodike të interesave private në Inspektoratin e Kontrollit të Pasurisë (ILDKPKI). Ndërkohë, bashkëshortja e Manes dyshohet se ka financuar udhëtime dhe dreka në Paris dhe Londër, si dhe bileta koncerti për vajzat e Metës, Bora dhe Era. Por pyetja që ngre gazeta “SOT” është se sa prona i bie që të ketë marrë kryeministri Edi Rama nga Samir Mane sipas standardeve të Meta-Kryemadhit të faktuara nga SPAK?
Ja favorizimet e Edi Ramës për Samir Manen
Rama është kujdesur që gjatë këtyre 11 viteve të vendosë shtetin në shërbim të bizneseve të Samir Manes. Madje këtë gjë e ka bërë edhe në miratimin e ligjit në fushën e Minierave, ku sipas SPAK, Monika Kryemadhi u vendos në shërbim të oligarkut. Ligji për “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë” është votuar në tetor 2014. Vetë Kryemadhi kur foli së fundmi para gazetarëve për këtë pjesë të hetimit, ka treguar edhe prapaskenat.
Ajo tha se ligji është kërkuar nga Shefja e Kabinetit të Edi Ramës në atë kohë, Vali Bizhga. Sipas saj, ligji është diskutuar edhe në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese me kryetar Eduard Shalsin. Por e zëmë se Kryemadhi gënjen dhe Rama nuk është iniciatori i këtij ligji. Në këtë mes, votat tregojnë se ka patur një bashkëpunim mes LSI dhe PS. Meta e Kryemadhi të vetëm nuk mund ta miratonin këtë ligj pasi nuk i kishin votat. Ligji që favorizonte Manen ka kaluar me votat e socialistëve, me bekimin e Edi Ramës, pasi LSI kishte vetëm 20 deputetë në Kuvend në atë kohë. Kjo tregon qartë se për favorizimin e Samir Manes ka marrë pjesë edhe Edi Rama.
I gjithë shteti në dispozicion të oligarkut
Përveç të këtij ligji që doli nga dosja e SPAK, gazeta “SOT” do të rendisë të gjitha favorizimet që Edi Rama i ka bërë oligarkut që në fund pasuria dhe pronat e tij të shtoheshin. Po e nisim me aferën e tunelit të Llogarasë, dosje e cila ndodhet në tryezën e SPAK. I gjatë afro 6 km, tuneli nis nga Ura e Shën Elizës dhe përfundon te Ura e Palasës, duke kaluar përmes Qafës së Llogarasë. Ky është një nga projektet më të debatuara, për shkak të mungesës së konsultimit publik si dhe për shërbimin që pritet t‘i ofrojë realisht shqiptarëve. Jo vetëm kaq, por ky është tuneli më i kushtueshëm në Evropë. 65 mijë euro për frymë të cilën nuk e ndërton as shteti më i pasur në botë.
