Tritan Shehu refuzoi pyetësorin e OSBE-së për deputetët, ironizon aktivistja: Sanço Shehu kërkon ndihmë te Don Berisha

Data

Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me një pyetësor të publikuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, i cili është shpërndarë deputetëve të Kuvendit për të deklaruar pjesëmarrjen gjinore. Në një postim në Facebook, ai e konsideron si të pavend që në këtë moment politik delikate, OSBE-ja të shpërndajë një pyetësor të tillë.

Shehu e quajti provokative opsionin “të tjera” për gjininë, duke theksuar se ligjet e vendit njihen vetëm dy gjini, mashkull dhe femër. Ai njoftoi se do të refuzojë të plotësojë këtë pyetësor.

Ndërsa në këtë vrazhdë, ka reaguar me ironi aktivistja Xheni Karaj, e cila shprehet se Sanço Shehu (Tritan Shehu), i lodhur dhe i pagjumë nga një natë e tërë ankthi për shkak të pyetësorit famëkeq të OSBE-së, shkon të kërkojë ndihmë te lideri i tij shpirtëror, Don Berisha (Sali Berisha).

Reagimi i plotë nga Xheni Karaj:

Komedi: Akti i parë dhe i vetëm

Sanço Shehu, i lodhur dhe i pagjumë nga një natë e tërë ankthi për shkak të pyetësorit famëkeq të OSBE-së, shkon të kërkojë ndihmë te lideri i tij shpirtëror, Don Berisha.

I gjunjëzuar para padronit të tij, Sanço, me sytë e kuq dhe pyetësorin në dorë, thotë:“Ah, zotëria im, nuk kam mundur të fle gjithë natën. Ky pyetësor më ka shkatërruar! Si guxojnë të më pyesin nëse ka një ‘opsion tjetër’ për gjininë? A nuk është ky një provokim ndaj kombit, ndaj burrërisë sonë tradicionale?”

Don Berisha, duke marrë pozën e një kalorësi të madh, ngre dorën nga dritarja dhe, me zërin e tij epik, përgjigjet: “Tritan, mos u tremb! Kjo nuk është asgjë më shumë se një mashtrim modern! Këta mullinj erërash të OSBE-së përpiqen të shpërqendrojnë mendjet tona të kthjellëta me këto opsione të çuditshme gjinore. Ne do t’i luftojmë ashtu siç kemi luftuar gjithmonë korrupsionin; me ndershmëri, besnikëri dhe traditat tona të shenjta prej konservatorësh!”

Sanço Shehu, i frymëzuar nga padroni i tij dhe i mbushur me një ndjenjë të re heroizmi, ngrihet në këmbë dhe thotë:“Po, komandant! Do ta rrëzojmë këtë pyetësor si një përbindësh të mashtrimit modern! E si guxojnë të na përqeshin me këto ‘opsione gjinore të tjera’? Kjo është lufta jonë e shenjtë!”

Dhe kështu, pas bekimit të padronit të tij, Sanço Shehu niset në një betejë imagjinare për të mbrojtur… jo demokracinë, por kufijtë e ngushtë të mendësisë së tij, duke lënë mënjanë të gjitha problemet e vërteta me të cilat po përballej fshati.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related