Transporti publik vijon të mbetet problematik në kryeqytet, pavarësisht shumë premtimeve të bëra për të përmirësuar cilësinë e tij. Kryebashkiaku Erion Veliaj është zotuar në mënyrë të përsëritur, në harkun e më shumë se 8 viteve të fundit për ndërhyrje nga më të ndryshmet, që do ta transformonin shërbimin, por qytetarët dhe ekspertët shprehen se transporti urban në kryeqytet është në “gjendje kome”
Një prej premtimeve të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj në vitin 2015, ishte edhe transformimi i transportit urban në kryeqytet. “Transporti urban do të jetë i të njëjtës cilësi si në Laprakë ashtu edhe në Vaqar”, tha Veliaj në korrik të vitit 2015,
Kjo u përsërit nga kryebashkiaku edhe në dhjetor të po atij viti, ku shoqëritë e transportit kërkuan rritjen e çmimit të biletës.
“Duhet njëherë të dëgjojmë si fillim nëse janë dakord për biletë elektronike, nëse janë dakord për linjat e reja të autobusëve që prekin edhe fshatin, dhe nëse janë dakord që të përmirësojnë e të rrisin cilësinë e shërbimit dhe të mjeteve të tyre. Disa autobusë janë mesatarë, të pranueshëm, ndërsa disa të tjerë janë si ZIS-at”, theksoi Veliaj asokohe.
Përmirësimi i transportit urban ka qenë gjithmonë në fokus të premtimeve të tij, si një prej shërbimeve që prek drejtpërdrejt qytetarët, të cilët kanë shprehur pakënaqësi për shërbimin e ofruar.
