Krejtësisht ndryshe është situata në nivel qeveritar. Hedhim vështrimin pas: Në fillim të korrikut 2024, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan u ul në tribunat e Kampionatit Evropian të Futbollit në Berlin për një mbrëmje. Kancelari Olaf Scholz nuk u duk.
Kjo ndoshta edhe sepse qëndrimi i tij ishte pikërisht në kohën e një skandali diplomatik. Një lojtar i kombëtares turke tregoi “përshëndetjen e nacionalistëve turq” në fushë, simbolin identifikues të “lëvizjes Ülkücü”, lëvizje ekstremiste e krahut të djathtë. Krahu politik i lëvizjes, MHP, jo vetëm që ulet në parlamentin turk, por është gjithashtu një partner aleance i AKP-së së Presidentit Erdogan.
Qëndrime të ndryshme, sidomos në lidhje me Izraelin
Disa politikanë gjermanë reaguan të indinjuar pas përshëndetjes nacionaliste. U thirrën ambasadorët, Turqia e akuzoi Gjermaninë për ksenofobi. Erdogan spontanisht fluturoi drejt Berlinit për të treguar praninë e tij në ndeshjen e radhës të skuadrës turke.
Por probleme kishte edhe më parë. Gjatë vizitës së tij tek kancelari gjerman – vetëm pak javë pas sulmit të 7 tetorit, dita kur organizata terroriste e Hamasit sulmoi Izraelin – Erdogan haptas mori një qëndrim kundër Izraelit. Ai e kishte akuzuar më parë këtë vend për “fashizëm” dhe “krime lufte”.
Lindja e Mesme mbetet temë kontroverse
Olaf Scholz duhej të dëgjonte të ftuarin e tij si e përshkruante Hamasin si një “organizatë çlirimtare” dhe ta përcaktonte Gjermaninë se kishte një “psikologji faji” ndaj Izraelit.
Scholz qëndroi i qetë. Shumë i qetë, siç e gjykuan më vonë kritikët. “Nuk është sekret që ne kemi këndvështrime të ndryshme, ndonjëherë shumë të ndryshme për konfliktin aktual”, u përgjigj kancelari. Prandaj duhet të flasim. “Sidomos në momente të vështira, ne duhet të flasim drejtpërdrejt me njëri-tjetrin.”
Gjermania dhe Turqia kanë nevojë për njëra-tjetrën
Të dy krerët e qeverive takohen të shtunën (19 tetor) në Stamboll. Politologja Hürcan Asli Aksoy është e bindur se ka shumë për të folur. “Megjithë qëndrimet kundërshtuese në konfliktin e Lindjes së Mesme, ka interesa të përbashkëta mes Ankarasë dhe Berlinit në shumë fusha të tjera”, analizon drejtuesja e CATS pyetur nga DW. “Në fund të fundit, të dyja palët kanë nevojë për njëra-tjetrën – politikisht, ekonomikisht dhe nga ana sociale”.
Një zëdhënës i qeverisë federale përmend migrimin, luftën në Ukrainë dhe çështjet e politikës ekonomike si tema qendrore në tryezë të bisedimeve. Turqia luajti një rol të rëndësishëm në mundësimin e furnizimeve me grurë nga Ukraina në tregun botëror nëpërmjet Detit të Zi.
