Deputetja e PD-së Ina Zhupa e ka cilësuar si një pamje aspak të denjë dhe normale për një shtet demokratik, atë se çfarë ndodhi gjatë përplasjes së Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë me deputetët e opozitës brenda Kuvendit të Shqipërisë.
Në një lidhje skype në Syri Tv, Zhupa tha se ajo çfarë ndodhi sot nuk gjendet në asnjë vend demokratik, ndërsa shtoi se përpalsja polici-deputet brenda një institucioni që mbrohet nga Garda e Republikës, është e ndaluar me Kushtetutë dhe ligj.
Zhupa theksoi se është fatkeqësi që opozita është e detyruar të përcjellë imazhe të tilla për vendin, në një kohë kur sipas saj nga séance në seancë shtohen metodat diktatoriale.
Deputetja e PD, shtoi gjithashtu se Policia e Shtetit tejkaloi çdo kufi ligjor, duke shkelur Kushtetutën dhe shpërdoruar detyrën.
Sa kohë që parlamenti nuk i kthehet ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë, tha Zhupa, atëherë sjellja e opozitës do të jetë e njëjtë me atë që ofron mazhoranca në pushtet.
