Prokuroria e Posaçme mori dje (11 tetor) të pandehur deputetin e PS-së, Jyrgis Çyrbja. Deputeti socialist që la mandatin dy ditë më parë akuzohet për ‘shpërdorim detyre’ gjatë kohës kur ai ka qenë në krye të hipotekës së Durrësit. Bëhet fjalë për një kallëzim të bërë nga deputeti i PD-së Edi Paloka për zgjedhjet e vitit 2021, kur drejtonte Çyrbja drejtonte Hipotekën e Durrësit dhe opozita e akuzonte se shpërndau leje legalizimesh me qëllime elektorale. Bëhet fjalë për një vepër penale të kryer në 2016. Gjatë kohës që Çyrbja drejtonte Hipotekën e Durrësit, ai është marrë në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në atë kohë, pasi dyshohej se kishte favorizuar Emiljano Shullazin për të përfituar prona në Durrës.
Ndërkohë Lulzim Basha, e kishte etiketuar deputetin disa herë si bashkëpunëtor të krimit. Edhe dje, ishte Basha ai që reagoi i pari mes opozitarëve. “Edi Rama nuk mund të lajë duart vetëm duke detyruar deputetë e ministra të largohen nga funksionet kur u tunden prangat. Ai duhet të mbajë përgjegjësi pse e ka zhytur vendin në korrupsion dhe ka veshur krimin me pushtet”, tha Basha. Çyrbja u pyet dhe lidhur me deklaratën e dy ditë më parë që justifikonte lënien e mandatit për arsye shëndetësore. Madje u ngacmua duke e pyetur nëse e kishte lënë mandatin se e kishte kërkuar partia. Por rasti i Çyrbes nuk është as i pari dhe as i fundit, pasi shumë socialistë e kanë lënë në mes mandatin dhe të tjerë rrezikojnë të dalin jashtë loje.
Lista e deputetëve socialistë që lanë mandatin në mes
Arben Ndoka – Ai e la mandatin e deputetit në vitin 2015, për shkak se ishte dënuar nga autoritetet italiane për Prostitucion. Disa vite më vonë, SPAK e akuzon edhe për Urdhërimin e disa vrasjeve, pas ëprgjimeve që dolën në aplikacionin SKY.
Alqi Bllako – Deputeti Bllako u katapultua nga Sekretar i Ministrisë së Mjedisit në deputet papritur, por më vonë u zbulua se kjo “ngritje në detyrë” ishte për shkak se kishte firmosur pa iu dridhur qerpiku për inceneratorët. Kjo aferë i mori edhe mandatin e deputetit, ndërsa sot ndodhet në qeli duke vuajtur dënimin e dhënë nga Gjykata.
Saimir Tahiri – Arrestimi i Saimir Tahirit ishte ngjarja më e bujshme e disa viteve më parë, pasi ish-ministri u akuzua për shpërdorim detyre, teksa u zbulua se kushërinjtë e tij trafikonin kanabisin e mbjellë në vendin tonë jashtë Shqipërisë. Ai dorëzoi mandatin e deputetit dhe u arrestua 4 vite më vonë.
Armando Prenga – Deputeti socialist iu hoq mandati i deputetit, pas përplasjes me fisin Cala për Lagunën e Patokut. Pasi rezultoi se Prenga kishte qëlluar me armë, deputeti u arrestua dhe iu hoq dhe imuniteti nga Parlamenti pasi çështja kaloi në hetim.
Mark Frroku – Mark Frroku e la mandatin e deputetit duke njoftuar me një letër Kuvendin, pasi akuzohej për vrasje në Belgjikë.
Koço Kokëdhima – Si Ilir Beqajt, edhe Koço Kokëdhimës mandati iu hoq nga Gjykata Kushtetuese, pasi akuzohej se kishte përfituar 150 tendera gjatë kohës që ishte deputet, në shkelje të ligjit.
Lefter Koka – Ish-ministri i Mjedisit që sot ndodhet në burg për aferën e inceneratorëve, la mandatin e deputetit që fitoi në zgjedhjet e vitit 2021 9 ditë përpara se të betohej. Ai akuzohej për aferën e inceneratorëve, për të cilën sot po vuan 2 dënime me burg.
Rrahman Rraja – Rraja e dorëzoi mandatin e deputetit pas ngjarjes së rëndë ku familjarë të tij dhunuan barbarisht 2 persona të cilët ishin ankuar në polici në lidhje me dëmet që i kishin shkaktuar shpërthimet nga gurorja në pronësi të vëllait të deputetit. Vëllai dhe djali i tij janë ende në kërkim nga policia
