Lojërat Olimpike të Parisit ishin frytdhënëse për Shqipërinë këtë vit pasi, për herë të parë në paraqitjet e veta ndërkombëtare, Shqipëria mundi të sigurojë medalje oplimpike. Këto medalje vinin pas 52 vjetësh nga pjesëmarrja e parë olimpike e Shqipërisë dhe parë në këtë formë ato marrin vlerë historike për sportin shqiptar në tërësi. Padyshim që sporti më popullor në Shqipëri, mundja, solli edhe medaljet e para. Në fakt, ata që fituan medaljet ishin dy sportistë nga Federata Ruse, të cilët kanë marrë pasaportën shqiptare (Islam Dudaev dhe Çermen Valiev). Puna e tyre është për tu vlerësuar e përshëndetur, por jo vetëm e tyre, por edhe e zyrtarëve të Federatës Shqiptare të Mundjes, presidentit të kësaj federate Sahit Prizreni, si dhe Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. Dudaev dhe Valiev fituan medalje bronzi, por për Shqipërinë kjo ishte arritje sportive historike
Prizreni pret financime për mundjen, institucionet bëjnë “shurdhin”
Presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, Sahit Prizreni, njeriu që konsiderohet edhe si “truri” i medaljeve olimpike të Shqipërisë, në një prononcim për gazetën “SOT” javë më parë, është shprehur se pas këtij suksesi të madh e të rëndësishëm mundja shqiptare e meriton të vlerësohet. E këtu ai kishte parasysh përmirësimin e fondeve grant për federatën, rritjen e investimit në bazë materiale dhe shpërblime, por njëherësh rritjen e vëmendjes ndaj mundjes nga institucionet. Federata që i ka sjellë Shqipërisë dy medaljet e para olimpike ka një buxhet qesharak, kjo dihet, por ajo që duket jo fort e këndshme është se pavarësisht suksesit e pavarësisht apelit të Prizrenit, kur është fjala për të dhënë ndihmë financiare dhe për të ndihmuar, institucionet struken e bëjnë “shurdhin”. Olimpiada e vitit 2028 do të vijë shpejt, por që suksesi të ruhet e të rriten pretendimet, duhet që të suksesshmit të vlerësohen. Të vlerësohen jo vetëm me atë që u jep ligji për shpërblimet, por njëherësh të rritet fondi për federatrën, që ajo të shtojë aktivitetet dhe të rrisë interesin e të rinjve e të rejave.
Mundja jonë shkëlqen në Ballkaniadë
Mundjes i duhej të konfirmohej në këtë periudhë dhe ajo gjen një aktivitet rajonal për ta bërë këtë. Kështu, Shqipëria ka mbyllur konkurrimin e saj na Kampionatin Ballkanik të Mundjes, aktivitet që u mbajt në Maqedoninë e Veriut nga data 3 deri më 6 tetor. Kombëtarja kuqezi shënoi rezultate shumë të mira në këtë kompeticion. Federata Shqiptare e Mundjes njofton se Andi Muça, Ardit Zeneli dhe Albi Peposhi bënë paraqitje të shkëlqyera, duke zënë vende të para. Xhord Gjoni dhe Klevis Preçi u renditën vendin e tretë, ndërsa Klevis Koçeku u klasifikua i pesti. Paraqitje të shkëlqyera u shënuan edhe në radhët e vajzave, teksa Erglena Domi u shpall kampione për moshat U-15, ndërsa Kleona Shabani u rendit në vendin e tretë për kategorinë U-20. Theksojmë që ky ka qenë një vit me rezultate të jashtëzakonshme për sportin e mundjes.
