Izraeli ka mbajtur ceremoni për të kujtuar viktimat e vrasjeve dhe rrëmbimeve masive të kryera nga Hamasi më 7 tetor 2023, ku u vranë rreth 1200 njerëz dhe 251 u morën peng.
Lidhur me këtë, eksperti i sigurisë Dritan Goxhaj, i ftuar në një intervistë televizive, teksa e konsideroi një konflikt të vjetër, u shpreh se Hamasi ishte e vetmja organizatë e mbetur e cila nëse nuk do reagonte atëherë Palestina do ishte shuar duke u kthyer në një vend nën kontrollin e Izraelit.
Ai tha se konflikti atje nuk na prek fizikisht, por nëse ky konflikt nga rajonal kthehet në global na prek direkt sepse Serbia do e shfrytëzonte si mundësi.
“Është një konflikt i vjetër që vijon nga 1948, gjithmonë ka pasur eskalime ulje dhe ngritje ndërsa tani ka arritur pikën e saj, ku Hamasi është e vetmja organizatë që kuptoi se është e fundit pikë dhe nëse nuk do reagonte Palestina do ishte shuar dhe do ishte nën kontrollin dhe pushtetin e Izraelit.
Kjo do sillte asimilimin e palestinezëve prandaj u detyruan që ta sjellin çështjen e palestinezëve në tavolinë, ishte momenti i fundit që mund të bënin duke parë dhe ngjarjet gjeopolitike në tërësi. Pas tërheqjes së SHBA-ve nga Afganistani këto vende panë mundësinë për të sjell në vëmendje çështjen dhe problemet e tyre.”
I pyetur nëse kjo mund të konsiderohet si një luftë me elementë fetar, ai tha se ishin ekstremistët e djathtë në Izrael ata që e kthyen në një luftë të tillë, por dhe Palestina ishte e interesuar për këtë.
“Lufta është çështje nacionalitetesh por duke i bashkëngjitur dhe elementin fetar që është në qendër të vëmendjes në këtë luftë dhe duke e bërë luftën fetare për të nxitur pjesën e popullatës në Izrael që e shihte me skepticizëm.
Ky grupim ekstremist i djathtë në Izrael i dha konture fetare këtij konflikti dhe ana tjetër dhe Palestina mezi pritste të merrte konture fetare dhe automatikisht i dhanë konfliktit projeksion fetar. Është në interes të palës së dëmtuar palestinezëve që të merrte kontur fetar.”
Në vijim ai shtoi se për momentin i vetmi vend që posedon armë bërthamore është Izraeli, kështu që për sa kohë ka vetëm ai e shoh larg luftën bërthamore sepse Irani nuk e ka mundësinë për t’ju kundërpërgjigjur.
“Jemi larg një konflikti bërthamor, Irani nuk ka kapacitete të lëshojë bomba balistike pa miratimin e SHBA-ve. Nëse SHBA i qëndron pas këtij konflikti atëherë jemi në një konflikt botëror. Po ndodhi kjo gjithçka pastaj ka mbaruar.
