Deputetja demokrate, Dhurata Çupi thotë se dhuna dhe presioni që po i bëhet opozitës duke e bllokuar për të ushtruar të drejtën e saj të opozitarizmit është një arsye e fortë për të reaguar, siç bëri së fundmi me djegien e karrigeve përpara oborrit të Kuvendit.
Në një intervistë për Syri Tv, Çupi tha se opozita nuk trembet përballë presioneve të qeverisë, me kallëzime në SPAK dhe përjashtime nga jeta parlamentare.
Një nga mbështetëset më të fuqishme të Reformës në Drejtësi, aso kohe edhe nënkryetare e ‘Ligjeve’, Çupi shprehu zhgënjimin për një reformë që sipas saj është kthyer në gjueti shtrigash për deputetët dhe liderët e opozitës.
Për Çupin është e papranueshme që një drejtësi selektive dënon deputetin Salianji dhe hap dosje penale për liderët e opozitës, në veçanti ndaj kryedemokratit Sali Berisha, për të cilin tha se hetimi ndaj tij është farsë dhe i stisur.
Sipas Çupit të gjitha pushtetet sot janë nën ‘hyqmin’ e Edi Ramës, ndërsa tha se asgjë nuk ka vlerë përballë abuzimeve dhe korrupsionit të pushtetit të Ramës.
