Izraeli nuk i ka dhënë garanci administratës së Joe Biden se shënjestrimi i objekteve bërthamore të Iranit është jashtë çdo diskutimi, teksa pritet shpagimi i shtetit hebre për sulmin me raketa balistike në fillim të kësaj jave nga regjimi i ajatollahëve.
Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit i tha CNN se është “me të vërtetë e vështirë të thuhet” nëse Izraeli do të përdorë përvjetorin e sulmeve të Hamasit të 7 tetorit për t’u hakmarrë.
“Ne shpresojmë dhe presim të shohim pak mençuri përveç forcës, por për këtë nuk ka garanci”, ishte përgjigja që i dha zyrtari pyetjes se nëse Izraeli e ka siguruar SHBA-në se objektet bërthamore të Iranit nuk do të preken. Zyrtarët amerikanë kanë shprehur mbështetje për reagimin e Izraelit ndaj sulmit raketor të Iranit me shumë zyrtarë që e kanë deklaruar publikisht se duhet të ketë pasoja.
