Prokurori i Vlorës, Xhemal Saliaj u përball të premten më 4 tetor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dhe shpjegime për barrat e provës në kriterin e pasurisë dhe gjetjet për profesionalizmin. Ai u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës.
Procesi i vetingut për prokurorin Saliaj po kryhet nga trupa e KPk e kryesuar nga Alma Faskaj, me relatore Pamela Qirkon dhe anëtare Xhensila Pinen. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Theo Jacobs.
Xhemal Saliaj e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2003 si prokuror në Prokurorinë e Beratit, ku ka ushtruar dhe funksionin e drejtuesit. Prej vitit 2013, ai e ushtron detyrën në Prokurorinë e Rrethit Vlorë.
Barrat e provës për pasurin
Subjekti ka deklaruar blerjen e një apartamenti në Vlorë vitin 1995 së bashku me të vëllanë, për çmimin 1 milion e 350 mijë lekë. Si burim krijimi ka deklaruar të ardhurat nga emigracioni në Greqi gjatë periudhës 1991-1994.
Në vitin 2012, prokurori Saliaj dhe bashkëshortja e tij i kanë shitur ½-ën e apartamentit vëllait të subjektit, kundrejt çmimit 14 mijë e 500 euro.
Relatorja Qirko tha se subjekti nuk ka paraqitur dokumentacion justifikues për të provuar ligjshmërinë e burimeve të krijimit të kësaj pasurie. Për rrjedhojë, Saliajt i është kaluar barrë prove për pamundësinë financiare të vlerës 675 mijë lekë, që përfaqëson pjesën e tij të investimit në vitin 1995.
Prokurori Xhemal Saliaj e cilësoi shterues hetimin administrativ të kryer nga KPK. Lidhur me pamundësinë e konstatuar për blerjen e apartamentit në vitin 1995, ai vërejti se në atë kohë nuk ishte as prokuror dhe as nuk kryente ndonjë punë në institucione publike.
Ai u shpreh se apartamentin e kishte blerë së bashku me vëllanë me të ardhurat nga emigracioni dhe se e kishin regjistruar sipas rregullave e ligjeve të kohës. Subjekti shtoi se kishte sqaruar se nuk mund të siguronte dokumentacion për punën e kryer në Greqi, pasi nuk ishte pajisur dot me leje qëndrimi. Ai e konsideroi të arsyeshme pamundësinë për të siguruar pas 30 vitesh dokumentacion provues për të ardhurat e siguruara nga puna si emigrant në Greqi. Saliaj kërkoi që të mos ngarkohet me masë ndëshkimore prej konstatimeve të kësaj pasurie.
