Idajet Beqiri, avokati i familjes së viktimave të 21 Janarit që me luftën dhe veprimet e tij bëri të mundur nisjen e hetimeve nga SPAK për vrasjen e 4 protestuesve, ka paralajmëruar zhvillime të bujshme për këtë çështje. Në një reagim për gazetën , ai u shpreh dje se Hoxha ka shpjeguar për 3 orë në SPAK për burimin se si ka rënë ajo kasetë në dorën e tij. Nga ana tjetër, ai paralajmëron se pas tij e kanë radhën të tjerë emra të rëndësishëm që do të japin llogari para SPAK. Avokati paralajmëron se shumë shpejt do të ketë finalizime me masa sigurie të krimit të 21 Janarit. “Artan Hoxha për kasetën ka shpjeguar për 3 orë në SPAK edhe për burimin se si ka rënë ajo kasetë në dorën e tij.
Gjithashtu do të identifikohet zëri në audio përgjimin e kasetës se i kujt është dhe nga kush e ka marrë urdhrin për zbatimin e ekzekutimit mbi turmën. Nga ana tjetër pritet deklarimi i Sokrat Godos në SPAK. Do të merret dëshmia e ish-presidentit Bamir Topi, ish-prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, të ish-drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit të asaj kohe, ish-punonjësi i kryeministrisë i cili fshiu dhe zhduku për të gjithë natën serverat. Do pyetet Sali Berisha, por edhe Lulzim Basha. Do të thellohen hetimet dhe do të pyeten të gjithë personat që kanë gisht në këtë masakër dhe do të marr emrin e vërtetë, krim shtetëror siç ka emrin. Do të ketë finalizime me masa sigurie të krimit të ’21 Janarit’”, u shpreh avokati Idajet Beqiri.
Berisha, koka e krimit
Zoti Beqiri ka hedhur akuza të forta mbi ish-kryeministrin Sali Berisha duke e konsideruar atë si kokë krimi që fshihet pas vrasjeve të 21 janarit, ku sipas tij lideri demokrat ka tentuar të fshehë provat. Ndër të tjera, avokati tha se Berisha dhe personat e përfshirë në këtë ngjarje do të ndiqen penalisht nga organet e drejtësisë, ku priten detaje të reja. “Berisha është koka e këtij krimi, urdhëruesi, e ka thënë me zë e figurë: Edhe 100 të ishin do t’i vrisnim pasi vepruan në kundërshti me ligjin. Pse iku policia, nga kush u rrezikua. Protestuesit nuk kishin armë, nuk kishte rrezik për policinë. Kur qëlloi në trup të tyre, nuk i tha protestuesve që ishin të detyruar të qëllojnë. Pse i ekzekutoi. Me të gjitha këto del që këta do përgjigjen penalisht. Berisha vazhdon akoma me gjumin e ariut. Nuk e kupton që SHBA, e caktoi non grata për korrupsion, vrasje të demokracisë, për ndërhyrje të rënda për të mbuluar procese gjyqësore për të marrë në mbrojtje krimin e organizuar. Ka ndikuar për procesin e 21 janarit, mbuloi krimin, i tha prokurores lavire bulevardi, bllokoi provat”, tha Beqiri.
